njoftime

Program i përbashkët studimi, Bachelor, në “Inxhinieri Mekanike”, midis Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Universitetit Politeknik të Barit, Itali

Me ftesë të Rektorit të Universitetit Politeknik të Barit (UPB) Prof. Francesco Coupertino, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë (UV), Prof. Dr. Roland Zisi, në datën 26 Qershor, 2023, zhvilloi një vizitë pune në këtë Universitet. Qëllimi i takimit ishte nënshkrimi i Marrveshjes Specifike Akademike ndërinstitucionale për çeljen e Programit të Studimit “Inxhinieri Mekanike”, Bachelor, në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje erdhi si rezultat i kujdesit të veçantë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama, i cili vazhdimisht u ka kërkuar autoriteteve politike dhe akademike të Rajonit të Puglia, krijimin e mundësive që UV të zhvillojë, në partneritet me ta, programe të përbashkëta studimi në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit. Një ndihmë të veçantë në këtë arritje ka dhënë gjithashtu Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari të Italisë, Z. Arjan Vasjari.

Në këtë vizitë zyrtare, në UPB, Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, shoqërohej nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari të Italisë, Z. Arjan Vasjari dhe zv. Rektori i UV, Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli. Delegacioni Shqiptar u mirëprit nga Rektori i UPB, Prof. Francesco Coupertino në ambientet e Universitetit ku u zhvillua edhe ceremeonia e nënshkrimit të Marrëveshjes. Të panishëm në këtë ceremoni ishte stafi i afërt i Rektorit të UPB, gjithashtu edhe z. Sebastiano Leo, Këshilltar i Presidentit të Rajonit të Puglia për Edukimin dhe Punësimin.

Të dy Rektorët theksuan rëndësinë që ka çelja e këtij programi të përbashkët studimi për Institucionet që ata drejtojnë, si dhe për Rajonet respektive në Bari dhe Vlorë. Nga ana e tij Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, falenderoi në mënyrë të veçantë Rektorin e UPB, Prof. Francesco Cupertino, dhe Konsullin Z. Arjan Vasjari, për finalizimin me sukses të kësaj procedure e cila, u bë e mundur edhe falë punës së Departamenteve dhe grupeve me pedagogë të fushës së Inxhinierisë Mekanike dhe Navale, në të dy Institucionet, për përshtatjen dhe konfigurimin e kurrikulës së këtij programi. Ai nënvizoi faktin që ky program studimi, u jep mundësinë studentëve shqiptarë të cilët do të ndjekin këtë program, të pajisen me një diplomë të njohur në Bashkimin Europian dhe më tej. Studentët e UV, do të kenë mundësinë të ndjekin pjesë të studimeve të tyre në UPB, në këtë program studimi, pa kosto financiare, falë marrëveshjes Erasmus+ që dy Institucionet kanë nënshkruar më parë.

Të dy Rektorët ranë dakord për një takim tjetër, në Universitetin e Vlorës, i cili do t’i dedikohet fillimit të punës për implementimin në praktikë të këtij programi, si edhe organizimit të veprimtarive paraprake akademike dhe administrative, për një program tjetër të përbashkët midis këtyre dy Universiteteve.