Nga data 15-19 Maj në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, Universiteti Kalisia, Poloni është zhvilluar në kuadër të programeve Erasmus mobiliteti i dy pedagogeve të Fakultetit të Shëndetit në Universitetin e Vlorës, respektivisht Dr. Evis Allushi, pedagoge e Departamentit të Infermierisë dhe Phd. Juljana Xhindoli, pedagoge e Departamentit të Kujdesit Shëndetësor.
Ky mobilitet kishte në fokus mësimdhënien në këtë fakultet, sipas tematikave të përcaktuara nga të dyja pedagoget, ku audienca ishin studentët e departamenteve të ndryshme, si infermier i përgjithshëm, infermieri mami, fizioterapi etj. Zhvillimi i leksioneve është shoqëruar me biseda interaktive midis studentëve, diskutime mësimore duke bërë krahasimet respektive, si edhe shkëmbim eksperiencash.
Të pranishëm në auditor ishin edhe studentë të programeve Erasmus, nga Turqia, Kosova, Pakistani si edhe 4 studente te Fakultetit të Shëndetit (2 nga Departamenti i Infermierisë dhe 2 nga Departamenti i Kujdesit Shëndetësor). Studentet tona shprehën vlerësime mjaft pozitive për stafin e univeristetit pritës, praktikat mësimore, leksionet si edhe për orët e zhvilluara në laboratoret simulator, një risi e këtij fakulteti prej 2019.
Mobilitetet në kuadër të programeve Erasmus në Universitetin e Vlorës prej vitesh janë një mbështetje shumë e fortë për stafin në tërësi, por në veçanti për studentët tanë.
Kjo javë nisi intensivisht me leksionet e përditshme të zhvilluara në këto auditore, por nuk munguan edhe shoqërimet e pedagogeve tona në ambjentet e të gjitha departamenteve të këtij fakulteti, siç ishin Departamenti i Infermierisë, Fizioterapisë, Infermieri-mamisë, apo edhe në ambjentet e departamentit të Kozmetologjisë.
Laboratoret simulatore ishin sa të reja në kohë aq edhe perfekte në organizim dhe funksionim. Në ditën dedikuar vizitës në këtë laborator pedagoget tona u njohën nga afër më mënyrën e menaxhimit konkret të kohës, në sasi dhe cilësi që studentët kalonin aty.
Në fund të këtij cikli 5 ditor u bë edhe çertifikimi i të dyja pedagogeve tona për këtë eksperiencë.