Në kuadër të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ditën e hënë, datë 23 janar 2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, priti në zyrën e tij përfaqësues të Institutit Shqiptar të Medias, Z. Remzi Lani, Drejtor Ekzekutiv në Institutin Shqiptar të Medias, Z. Agim Doksani, Koordinator dhe Z. Lutfi Dervishi, Ekspert pranë Institutit Shqiptar të Medias.
Në fjalën e tij, Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi falenderoi Institutin Shqiptar të Medias për interesin e treguar ndaj Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, duke e cilësuar mjaft të vlefshëm nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadër të Edukimit për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm. Zbatimi i këtij projekti që ka në fokus programet e studimit të Mësuesisë, sipas Rektorit të UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të stafit pedagogjik dhe studentëve në fushën e Edukimit për Median dhe Informacionin.
Z. Remzi Lani, Drejtor Ekzekutiv në Institutin Shqiptar të Medias, duke falenderuar Rektorin e UV-së për mikpritjen theksoi se, është kënaqësi për Institutin Shqiptar të Medias që nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me një institucion mjaft serioz si Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, duke garantuar se, zbatimi i projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e ardhshëm” do të ndikojë edhe më tepër në rritjen e parametrave të cilësisë për mësuesit e ardhshëm që do të dalin nga auditoret e UV-së.
Qëllimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Institutit Shqiptar të Medias, përmes zbatimit të projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për mësuesit e ardhshëm”, është rritja e kapaciteteve të stafit pedagogjik dhe studentëve në fushën e Edukimit për Median dhe Informacionin, duke iu krijuar mundësi punësimi jo vetëm në programet e mësuesisë, ku studentët përfundojnë ciklin e studimeve por edhe në fushën e medias.
Projekti, në fazën e tij të dytë do të zbatohet në UV me Fakultetin e Shkencave Humane, Departamentin e Edukimit, në periudhën Janar 2023-Dhjetor 2023.
Përmes këtij projekti do të garantohet integrimi i kurrikulës për Edukimin dhe Median dhe Informacionin në programet akademike të ciklit të parë dhe/ose të dytë të studimeve në Fakultetin e shkencave Humane, Departamenti i Edukimit.
Sfafi pedagogjik dhe studentët, si pjesë e projektit, do të angazhohen në aktivitetet e parashikuara, sipas planifikimit të projektit ( studime, trajnime, konferenca etj) me qëllim zbatimin e projektit sipas standarteve më bashkëkohore.