“Në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, qëndron gjithnjë në fokus të veprimtarisë akademike vendosja e qëndrueshme e standardeve të cilësisë me qëllim formimin e studentëve, si profesionistë të së ardhmes me mundësi konkurrimi në tregun ndërkombëtar. Gjatë muajit Prill 2022, Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë dhe Vlerësimit Institucional në bashkëpunim me Departamentin e Biznesit dhe Departamentin e Financës në Fakultetin Ekonomisë organizoi fokus- grupet me studentë në prag diplomimi të programeve të studimit Bachelor në “Administrim Biznesi”, Bachelor në “Financë” dhe Bachelor në “Kontabilitet”.
Organizimi i foku-grupeve si pjesë e politikave të UV-së për Sigurimin e Brendshëm të Cilësisë, vjen si një mekanizëm i ri në kuadër të diversifikimit të instrumentave për vlerësimin e programeve të studimit. Diskutimi gjatë fokus–grupit ishte i fokusuar në një sërë aspekte që lidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me programin e studimit duke nisur prej arsyeve të përzgjedhjes dhe mënyrës së informimit mbi programin e studimit, vlerësimin e organizimit të programit, njohuritë e përftuara, vlerësimin e eksperiencave më të mira dhe më pak të mira gjatë jetës studentore, përmbushjen e pritshmërive të studentëve, etj…
Objektivat e organizimit të fokus-grupeve ishin përcjellja e zërit dhe eksperincës së studentëve në prag diplomimi në diskutimet e strukturave vendimarrëse; evidentimi i arritjeve dhe dobësive të programit të studimit, motivimi i praktikave dhe arritjeve me qëllim hartimin e mëtejshëm të planit të masave për përmirësimin e tyre.
Gjetjet dhe rekomandimet e fokus grupeve ju përcollën më tej strukturave përgjegjëse të cilat kanë përgjegjësinë për të përmirësuar dhe ofruar programe studimi të cilat përputhen me standardet kombëtare të cilësisë, me kërkesat e tregut të punës duke ndihmuar studentët që të kenë një rrugëtim të suksesshëm gjatë jetës studentore për të qenë në të ardhmen profesionistë të aftë. ”