njoftime

UV në vendin e 4-të në renditjen e IAL publike shqiptare nga Ranking Web ose Webometrics Ranking

Ranking Web mbështetur në treguesit e marrë gjatë muajit Janar 2022, nga Web-et e 31. 000 universiteteve të 200 vendeve, ka publikuar edicionin 18-të (2022.1.3b) të renditjes më aktuale dhe më të përditësuar të universiteteve në rang botëror.

Rankimimi i universiteteve nëpërmejt Ranking Web ka filluar qysh prej vitit 2004.

Në këtë klasifikim të përgjithshëm Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, është renditur në vendin e 6024-të, (ndër 31. 000 IAL në botë), në vendin e 4-të mes 13 IAL publike shqiptare dhe në vendin e 5-të mes 41 IAL publike dhe private sëbashku.

Nisur nga fakti se Ranking Web nuk është një renditje e dizajnit të faqeve të internetit të universiteteve, por një renditje e universiteteve sipas treguesve webometrikë të gjitha veprimtaritë universitare dhe bibliometrikë (kërkimi shkencor), UV e vlerëson këtë klasifikim si një tregues tepër pozitiv të politikave dhe qasjeve strategjike që zbaton si dhe një arritje të re të studentëve dhe personelit akademik në funksion të misioneve të përbashkëta të tyre. Gjithashtu UV e shikon këtë renditje si një sfidë për t’u njohur dhe ballafaquar me përvojat më të mira botërore si dhe një mundësi për të korrigjuar praktika dhe perceptime negative, në këtë fushë të veprimtarisë institucionale.

UV konstaton me modesti dhe krenari njëkohësisht se informacionet e emetuara përmes Web-it të tij, të cilat përfaqësojnë  punën e përditshme të stafit akademik, studentëve dhe drejtuesve të të gjitha niveleve, konsiderohen nga publiku i gjerë si tregues korrekt, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm të performancës tërësore institucionale.

Një nga synimet kryesore të veprimtarisë së UV është që nëpërmjet Web-it të tij të promovojë transparencën e gjerë për publikun për produktet dhe njohuritë e krijuara nga pedagogët dhe studentët të cilët po punojnë që të përmirësojnë më tej cilësinë e veprimtarive universitare dhe rrjedhimisht edhe cilësinë e informacionit që tejçohet përmes kanaleve të komunikimit dixhital.

Për të 19-in vit Ranking Web ose Webometrics, duke funksionuar si një projekt kërkimor, përmes metodologjive shkencore korrekte që zbaton, ka arritur gjithmonë të bëjë një renditje të besueshme, objektive, transparente, shumëdimensionale, të përditësuar dhe të dobishme në funksion të perceptimit real të performancave të institucioneve të arsimit të lartë në gjithë botën. Laboratori Cybermetrics ka zhvilluar studime sasiore në Web-et universitare që nga mesi i viteve 1990. Treguesit e parë u prezantua gjatë konferencës EASST/4S, (1996) dhe mbledhja e të dhënave nga faqet e interneteve të universiteteve evropiane filloi në 1999, mbështetur nga projekti EICSTES, i financuar nga BE.

Në këtë kontekstin e zbatimit të Planit Strategjik, në të cilin, Smart University është përcaktuar si një nga tri linjat strategjike kryesore që UV implementon, renditja e fundit e Ranking Web, i obligon dhe motivon akoma dhe më shumë strukturat dhe burimet tona njerëzore që ta shohin Web-in e institucionit si mjetin kryesor të promovimit dhe shumëfishimit të rezultateve të misioneve universitare.

E vendosur kjo çështje edhe në kontekstin e mësimit në distancë për shkak të Pandemisë Covid-19, Webi dhe kanalet e tjera të komunikimit dixhital, nënkuptojnë pa diskutim zgjidhjet e vetme të komunikimit shkencor jashtë dhe larg ambjenteve fizike universitare.