njoftime

Takim I Rektorit të UV Prof. Roland Zisi me Rektorin e Pädagogische Hochschule Wien, Krems, Prof. Christoph Berger.

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me Institutin pedagogjik të Kremsit në Vienë, Rektori I UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi priti në zyrën e tij delegacionin e Institutit Pedagogjik të Kremsit, Rektorin. Prof. Dr. Christoph Berger, Zv/Rektor z. Thomas Krobath, Drejtorin e Zyrës së Marrdhënieve me Jashtë z. Thomas Schrei dhe Drejtoren e Institutit znj.Isabella Benisschek.

Firmosja e marrëveshjes dypalëshe në kuadër të programit Erasmus +  KA107, që prej 8 janarit të  2018-ës, shënoi partneritetin bashkëpunues midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe  Institutit pedagogjik të Kremsit duke mundësuar shkëmbimin e eksperiencave në fushën e edukimit dhe të mësuesisë, përmes pjesëmarrjes në mobilitete 5 ditore për trajnim stafi akademik dhe administrativ.

Instituti pedagogjik i Kremsit në Vienë përmes programeve të mobilitetit ka ofruar modelin europian të sistemit të edukimit dhe arsimimit për pedagogët e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, përmes vizitave dhe pjesëmarrjes në trajnimet e ofruara me qëllimin e përbashkët për zhvillimin e kompetencave inovatore dhe krijuese në lidhje me programet e mësuesisë, organizimin e kurrikulës për programet e studimit të ciklit të ulët, literaturën dhe modelet pedagogjike. Në fjalën e tij përshëndetësë Rektori I UV-së, Roland Zisi theksoi se aktivitetet e organizuara në kuadër të programeve të mobilitetit, kanë ndihmuar shumë në arritjen e objektivave universitare me në fokus ndërkombëtarizimin e universitetit dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerë të tjerë me sfida të përbashkëta strategjike, siç është dhe Instituti pedagogjik i Kremsit në Vienë.

Duke falenderuar delegacionin për vizitën në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Rektori Zisi pohoi se UV-ja do të vijojë me përkushtimin e duhur angazhimin si partnership në project – propozime në programin Erasmus, si një dritare e hapur për bashkëpunime dhe mundësi të tjera.

Prof. Dr. Zisi theksoi dhe rëndësinë e programit APPEAR si një program i Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC) I cili kontribuon në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm që përkon edhe me sfidat strategjike të UV-së si institucion i arsimit të lartë.

Delegacioni i Institutit pedagogjik të Kremsit në Vienë duke falenderuar Rektorin e UV-së Prof. Dr. Roland Zisi, pohuan se do të vijojë angazhimi për bashkëpunime të mëtejshme me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, të cilësuar prej tyre si një ndër universitetet me standarte të larta akademike e që premton shumë për të gjithë studentët që zgjedhin të studiojnë në këtë institucion të arsimit të lartë.

Sipas axhendës, në mjeditet e Senatit Akademik u zhvillua një takim i ngushtë me përfaqësuesit e institucionit austriak me staf akademik nga departamentet që mbulojnë programet e mësuesisë.

Pas prezantimit të pjesëmarrësve, Prof. Schrei dha një panoramë të institucionit si dhe objektivat dhe projektet e planifikuara për një periudhë afatgjatë me fokus internacionalizimin dhe mbështetjen e institucioneve të arsimit të lartë për një zhvillim të qëndrueshëm.

Çështjet që u diskutuan kishin të bënin me trajnimin e kompetencave tek mësuesit e ardhshëm për fëmijët me aftësi ndryshe, kompetencat dixhitale në kushte të veçanta si dhe zhvillimin e aftësive muzikore dhe artistike të tyre.

Një çështje interesante ishte edhe diskutimi mbi eksperiencat që kolegët austriake kishin në kurrikulat e tyre të zhvilluara duke përfshirë edhe njohjen dhe edukimin e besimeve fetare nga mësuesit për të siguruar një edukim gjithëpërfshirës në një shoqëri me diversitete, me nevojën për të jetuar në paqe dhe tolerancë. Takimi kaloi në një frymë bashkëpunimi duke shkëmbyer kredencialet për vazhdimësi dhe qëndrueshmeri partneriteti midis institucioneve tona.