njoftime

[:sq]Pandemia e COVID-19, mësimi dhe kërkimi shkencor on-line në UV[:]

[:sq]

Pandemia e COVID-19, mësimi dhe kërkimi shkencor on-line në UV

Nga Prof. Dr. Roland Zisi, Rektor i Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”

Është detyrim dhe kënaqësi për mua që si kryeredaktor i Buletinit Shkencor të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që të përcjell për lexuesit një rezyme shpjeguese në çelje të volumit të ri të tij, (Numër 4, Vëllimi 1, 2021), i cili për shkak të pandemisë së COVID-19, nuk u botua dot në vitin e kaluar. Kjo situatë e veçantë dhe e paprecedentë na detyroi të publikojmë këtë volum në mënyrë elektronike. Ky numër i ri i Buletinit tonë shkencor përmban 23 artikuj studimorë nga fusha të ndryshme si shëndetësia, drejtësia, shkencat politike, psikologjia, edukimi etj.

Këto studime janë përgatitur nga pedagogë të Universitetit të Vlorës si dhe Universiteteve të tjera, bashkëpunëtorë të jashtëm të tij, studentë, si dhe nga kërkues shkencor të ndryshëm. Ky volum multidisiplinar, sjell njohuri të reja mbi kërkimin shkencor bazë dhe të aplikuar. Të gjitha studimet kanë kaluar procesin e rishikimit nga bordi editorial i Buletinit. Këto studime janë të rëndësishme dhe një vlerë e shtuar për botën akademike dhe inkorporimi i tyre në leksione e seminare do të ndihmoj në përgatitjen më të mirë të studentëve.

Pandemia e COVID-19 e cila filloi në Wuhan në provincën Hubei në Kinë u përhap shumë shpejt në gjithë botën. Përhapja e një sëmundje infektive të tillë detyroi shtete të ndryshme të marrin masa kufizuese si dhe të implementojnë masën e karantinës. Një nga masat kryesore të marra nga autoritetet shëndëtësore ishte dhe mbyllja e shkollave dhe universiteteve. Në Shqipëri, komiteti teknik i ekspertëve në datën 10 Mars 2020 mori vendimin për pezullimin e mësimit në auditore dhe zhvillimin e tij në mënyrë virtuale.

Kjo situatë e jashtëzakonshme i gjeti Universitetet të papërgatitura ndërsa pedagogët e studentët u përballën me një situatë të pa implementuar më parë. Mungesa e infrastrukturës, kapaciteteve si dhe një strategjie specifike ishin disa nga problematikat kryesore të hasura në atë periudhë. Mbyllja e Universiteteve fillimisht krijoi panik dhe stres tek shumë studentë e familjarë të tyre për mundësinë e pezullimit të vitit akademik si dhe humbjen e semestrit.

Duke respektuar të gjitha masat dhe udhëzimet respektive, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” dhe autoritetet drejtuese të tij, që në momentin e parë u morrën intensivisht për adaptimin e situatës së re të krijuar. Takime të shpeshta formale dhe informale u zhvilluan për marrjen e të gjitha masave për vazhdimin e vitit akademik. Shumë shpejt në bazë të vendimeve të autoriteteve drejtuese të UV, sektori i IT-s në Universitet përgatiti email-et Institucionale për të gjithë pedagogët e studentët. Paralelisht, u pëgatitën materiale trajnuese për mënyrën e zhvillimit të mësimit on-line si për pedagogët ashtu edhë për studentët. Sekretaret mësimore, zyrat e studentit si dhe të gjithë specialistët e IT-s ishin në çdo moment në dispozicion të studentëve për të lehtesuar të gjithë procesin si dhe për të zgjidhur probleme të mundshme. Në bashkëpunim me studentët, secili pedagog zgjodhi të zhvillojë leksionet edhe seminaret në sinkron ose/edhe asinkron. Objektivi kryesor ishte zhvillimi i mësimit efektiv dhe efikas. Ky proces konsistoi në përgatitjen e duhur, bashkpunimin midis aktorëve të ndryshëm dhe përforcimin e të gjitha palëve të përfshira me qëllim vendosjen  besimit për arritjen e objektivave kryesorë.

Puna e palodhur e autoriteteve drejtuese, e stafit akademik dhe ndihmës akademik por sidomos e studentëve bëri të mundur realizimin e procesit mësimor në kushtet e karantinës. Kjo arritje u bë e dukshme jo vetëm në rezultatet e provimeve të studentëve gjatë sezonit por edhe në një studim që u zhvillua në UV. Nga studimi i kryer, 74.6% e studentëve vlersuan në nivele ‘shumë’ dhe ‘shumë fare’ gadishmërinë e pedagogëve për t`iu pergjigjur pyetjeve mbi leksionet/ seminaret dhe 43.5% e totalit e vlersuan në tërësi cilësinë e mësimdhënies online të mirë dhe shumë të mire. Sigurisht gjatë implementimit të mësimit on-line studentët kishin dhe shumë prej tyre vazhdojnë të kenë mungesë të linjës së internetit (sidomos në zonat rurale) si dhe mungesë të logjistikes si laptop ose PC. Pavarësisht problematikave të ndryshme, sipas studentëve në përgjithësi mësimi on-line gjatë pandemisë në UV u implementua dhe është duke u implementuar me sukses.

Pandemia e COVID-19 përshpejtoi transformimin dixhital të UV-s i cili vitet e fundit është përcaktuar si një nga objektivat e planit strategjik të UV. Ofrimi i mësimit on-line është thjesht një nga veçoritë e shumta të transformimit dixhital për qëllimin përfundimtar që është krijimi i një Smart University. Pandemia e COVID-19 solli në pah akoma dhe njëherë faktin që sistemi arsimor është i ndjeshëm ndaj shumë faktorëve të jashtëm dhe se transformimi dixhital ka akoma shumë sfida dhe barriera.

Zhvillimi i mësimit on-line i dha mundësinë UV që të përafrohet me praktikat më të mira globale me qëllim parandalimin e përhapjes së SARS-CoV-2 por edhe zbatimin e kalendarit akademik si dhe vendosjen e publikimit të arritjeve shkencore në kontekstin e komunikimit të ri dixhital, brenda e jashtë vendit. Jo vetëm përdorimi i cikleve të leksioneve on-line por edhe editimi i rezultateve shkencore të punës studimore të pedagogëve e studentëve do t`i jap mundësinë UV të promovojë vlerat e veta të pa diskutueshme jo vetëm në mësimdhënie dhe përmirësimin e njohurive dhe aftësive të studentëve apo personave në komunitet, por edhe në fushën e prezantimit dhe shkëmbimit të informacionit shkencor.

 

Vlorë, Prill 2021

 

Buletini SHkencor Nr. 4 Vol. 1 2021

 

 

 [:]