[:sq]
Të dashur sudentë te Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë,
Duke Ju konsideruar pjesëtarë të familjeve tona, unë personalisht, kolegët e mi autoritete drejtuese si dhe gjithë pedagogët dhe punonjësit e UV, në këto ditë të vështira epidemie, Urojmë dhe Lutemi nga zemra që JU dhe NJEREZIT E DASHUR që Ju rrethojnë, të gëzoni Shëndet të plotë!
Ju kujtoj se për të përballuar me sukses këtë situatë, është e domosdoshme të tregoni durim dhe qetësi, të shmangni PANIKUN por jo KUJDESIN, të zbatoni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, rregullat e thjeshta të higjenës, të sjelljes sociale dhe individuale. Të jeni të bindur se, nëse ndjekim këto protokolle të thjeshta, Ju dhe ne të gjithë do të triumfojmë mbi COVID-19, mbi këtë armik të padukshëm por të rrezikshem që po na kërcenon të gjithëve.
Të nderuar studentë dhe familjarë,
Përmes komunikimeve me shumë prej Jush, unë dhe kolegët e mi, pedagogë e drejtues, kemi evidentuar gjithë shqetësimet Tuaja legjitime e njerëzore, lidhur me procesin mësimor të ndërprerë dhe perspektivën e mëtejshme të tij, në kushtet e mbylljes së Institucionit dhe karantinimit në shtëpi te pedagogëve dhe studenteve. Për sa u përket këtyre shqetësimeve Ju informoj si më poshtë:
1. Kalendari akademik i vitit mësimor 2019-2020 në UV nuk do të cënohet dhe nuk do të ndërpritet por do të zbatohet dhe zhvillohet në distancë, përmes procesit mësimor online.
2. Ju garantojmë se asnjë student i UV nuk do të privohet nga procesi mësimor, konsultimet, provimet dhe diplomimet.
3. Strukturat akademike dhe ndihmësakademike të UV janë në përfundim të paketës mësimore online, në distancë, me qëllim rikuperimin e orëve të humbura deri tani dhe vijimin e tyre në javet e ardhshme. Ju do të ndiqni normalisht leksionet, seminaret, ushtrimet në distancë, do të komunikoni me pedagogët tuaj, sipas planifikimeve që kanë bërë Grupet e Punës të ngritura në çdo Fakultet dhe Departament.
4. Që të garantohet komunikimi juaj me pedagogët dhe drejtuesit e departamenteve, Ju lutemi të aktivizoni adresat Tuaja zyrtare personale. Përditësohuni me njoftimet e publikuara në WEB-in dhe FB e UV, në FB e departamenteve si dhe kontaktoni edhe përmes aparateve mobile me pedagogët dhe drejtuesit e njësive akademike ku zhvillohen programet tuaja te studimit, sekretaritë meësimore dhe specialistet e shërbimit ndaj studentëve në çdo njësi kryesore.
5. Sistemi i informacionit i UV (UVMS) është në gadishmëri të plotë, në funksion të rregjistrimit të çdo studenti, sipas Orarit të mësimit në distancë , përgatitur nga çdo fakultet dhe departament, në lëndën apo modulin përkatës, të programit të studimit dhe vitit akademik.
Të dashur studentë,
Jemi të gjithë të ndergjegjshëm se në këtë situatë të vështirë epidemie dhe kushteve të izolimit shtëpiak, jeta e gjithësecilit prej nesh ka fituar tipare dhe dimensione te reja. Por ne jemi në gjendje që të përcaktojmë se cilat janë prioritetet e reja të veprimtarisë sonë në këto rrethana. Besoj se jeni në një mendje me ne se këto prioritete janë:
1. Sigurimi i shëndetit individual përmes qëndrimit në shtëpi, respektimit të karantinës, rregullave shëndetesore dhe distancimit social.
2. Kujdesi për të mos infektuar njerëzit e afërt, miqtë, shokët, shoqet, fqinjët etj.
3. Ndërtimi i një jete të shëndetshme brenda shtëpisë, komunikim virtual me miqtë, të afërmit dhe pedagogët tuaj nga të cilët jeni të lutur të kërkoni informacion, asistencë, konsultim dhe përgjigje për çëeshtjet jetësore e sociale që ju shqetësojnë.
4. Ndjekje online të mësimit në distancë, të materialeve pedagogjike të mësimdhënësve Tuaj, ndërveprim dhe interaktivitet smart me ta, lexim, studim dhe komunikim njerezor.
Të dashur studentë,
Çdo ditë shprehemi me fjalë e me veprime se: “UV është një familje e madhe e ngritur mbi vlerat me të mira humane, qytetare dhe akademike“. Çdo ditë kemi punuar për të realizuar këtë objektiv të përbashkët, por mendoj se sot është rasti për t’a konsoliduar më shumë këtë familje; së pari, duke ruajtur të paprekur shëndetin personal dhe të njerezve pranë nesh dhe së dyti, duke kryer me dashuri dhe devotshmeri, detyrat dhe detyrimet ndaj njeri-tjetrit.
Në vijim, ju siguroj se, organet drejtuese, pedagogët, drejtuesit e njësive akademike dhe administrative, administrata dhe unë personalisht, po punojmë çdo ditë, në kushte të vështira të moskomunikimit ballëpërballë, me qëllim që Ju të merrni Shërbimin Arsimor që Ju takon dhe të mos cënohen të drejtat Tuaja për: Mësim, Konsultim, Provim dhe Diplomim.
Duke Ju uruar shëndet dhe mbarësi individuale dhe familjare,
Duke Ju shprehur nderim dhe konsideratë të lartë për Ju dhe familjarët Tuaj,
Duke shpresuar se shumë shpejt Ju do të zbukuroni sërish auditoret e UV që tashmë janë bosh,
Duke ju përcjellë përshendetjet më të mira dhe solidare pë Ju, të pedagogëve, drejtuesve dhe strukturave të UV,
Me dashuri prindi dhe mirënjohje për JU,
Miku, shoku, kolegu dhe pedagogu Juaj
Rektori
[:]