Më 23 Nëntor 2024, Departamenti i Kujdesit Shëndetësor në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore Shkencore, Fakulteti i Shëndetit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, organizoi seminarin e akredituar nga ASCK “Sfidat dhe Mundësitë për Profesionin e Infermierisë pas COVID-19. Seminari trajnues është pjesë e shërbimeve ndaj të tretëve që Fakulteti i Shëndetit ofron.
Objektivi i aktivitetit ishte ofrimi i njohurive të rëndësishme për stafin infermieror, me synim aftësim të tyre me strategji për të përballuar pasojat afatgjata të pandemisë me impakt në mirëqënien e tyre fizike-mendore dhe në forcimin e sistemit shëndetësor.
Seminari trajtoi disa aspekte të rëndësishme si: Informacion në lidhje me COVID-19; Roli i Infermierëve gjatë COVID-19; Shëndeti Mendor dhe Mirëqenia e Infermierëve; Njohuritë dhe Qëndrimet e Personelit Infermieror; Praktika Klinike e Bazuar në Prova; dhe Sfidat dhe Zgjidhjet për Stafin Infermieror Pas Pandemisë.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli, Dekan i Fakultetit të Shëndetit, dhe Prof. Asoc. Rezarta Lalo, Drejtuese e Departamentit të Kujdesit Shëndetësor.
Lektorët e seminarit ishin: PhD (c). Rudina Çerçizaj (koordinatore e aktivitetit ), PhD (c) Emirjona Kiçaj dhe Prof. Asoc. Fatjona Kamberi.
Pjesëmarrësit ishin infermierë të shërbimit shëndetësor parësor dhe spitalor. Seminari u mbështet nga studentët e Fakultetit të Shëndetit, programi i studimit Bachelor Infermieri Mami, viti III dhe stafi akademik, përkatësisht Vasilika Prifti dhe Majlinda Rakipaj.