Drejtoria e Projekteve dhe Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë, në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, organizoi më datën 04.09.2024 një aktivitet të veçantë për promovimin e programit Erasmus+ përmes Kampit Veror Erasmus+ 2024. E veçanta e këtij eventi ishte organizimi i tij në një anije turistike, ku studentët pjesëmarrës të Universitetit të Vlorës shijuan bukuritë e bregdetit të Vlorës, ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Përmes kuizeve dhe aktiviteteve informuese, studentët u njohën më nga afër me programin Erasmus+ dhe mundësitë që Universiteti i Vlorës ofron për të gjithë ata që zgjedhin të studiojnë në këtë institucion. Ndër këto mundësi, veçohen ato për ndjekjen e dy semestrave në një nga universitetet partnere evropiane, me të cilat Universiteti i Vlorës ka bashkëpunim të ngushtë.
Tanimë, aktivitetet informuese mbi programin Erasmus+ janë pjesë e përvitshme e Universitetit të Vlorës, i cili ka një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh ndërinstitucionale me universitete europiane pjesë e programit. Deri tani, janë realizuar mbi 900 shkëmbime të stafit dhe studentëve, hyrëse dhe dalëse.
Aktivitetit iu bashkuan edhe të rinjtë ndërkombëtarë, pjesëmarrës në Konferencën dhe Shkollën Verore të 13-të të rrjetit universitar ASECU Youth, që u mirëprit gjatë javës së parë të shtatorit nga Universiteti i Vlorës si anëtar i këtij rrjeti.
Aktiviteti krijoi një atmosferë miqësore dhe interaktive, ku studentët vendas dhe ata ndërkombëtarë patën mundësinë të shkëmbenin përvoja dhe të krijonin miqësi të reja.
Universiteti i Vlorës ka në fokus t’u ofrojë studentëve jo vetëm një atmosferë akademike brenda auditorëve, por gjithashtu një jetë kulturore dhe sociale të pasur jashtë tyre, përmes aktiviteteve të shumta që organizon.