njoftime

UV ÇEL DHE 2 PROGRAME TË REJA STUDIMI ME UNIVERSITETIN POLITEKNIK TË BARIT: REKTORI I UNIVERSITETI POLITEKNIK TË BARIT PROF. FRANCESCO CUPERTINO DHE REKTORI I UV PROF. DR. ROLAND ZISI, NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJET E BASHKËPUNIMIT PËR PROGRAMIN E DYFISHTË TË STUDIMIT, BACHELOR, NË “INXHINIERI ELEKTRIKE” DHE PROGRAMIN E PËRBASHKËT BACHELOR NË “SHKENCAT E ARKITEKTURËS PËR TRASHËGIMINË”.

Ditën e premte, datë 31.05.2024, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, shoqëruar nga Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional, Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli, Zv. Rektori për anën Akademike Prof. Asoc. Frosina Londo dhe Drejtuesen e Departamentit të Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare Prof. Asoc. Luljeta Gusho, priti në zyrë Rektorin e Universitetit Politeknik të Barit, Prof. Dr. Francesco Cupertino, Zv. Rektoren e Universitetit Politeknik të Barit Prof. Loredana Ficarelli, Prof. Carlo Moccia, Drejtues i Departamentit të Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Barit, Prof. Silvano Vergura, Koordinator i Programit të dyfishtë në Inxhinieri Elektrike si dhe Prof. Francesco Defilippis i deleguari i Rektorit për marrëdhëniet me jashtë. Qëllimi kryesor i takimit, ishte nënshkrimi i marrëveshjeve mbi programet ndërkombëtare të diplomave Bachelor, në Shkencat e Arkitekturës për Trashëgiminë dhe programin e dyfishtë Bachelor në Inxhinieri Elektrike, ndërmjet Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit Politeknik të Barit.

Ceremonia e aktivitetit u çel nga Rektori i Universitetit” Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi i cili shprehu mirënjohjen dhe falenderimet në emër të institucionit që drejton, për Prof. Dr. Francesco Cupertino dhe gjithë stafin e tij.

Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, shpehu mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për Rektorin e Universitetit Politeknik të Barit, Prof. Dr. Francesco Cupertino, duke theksuar se, tashmë është një mik i shquar i UV dhe duke shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit me një drejtues vizionar, intelektual europian e mendjehapur.

Rektori i Universitetit Politeknik të Barit, Prof. Dr. Francesco Cupertino, theksoi faktin se, për institucionin që drejton, është kënaqësi e veçantë bashkëpunimi me Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, duke pohuar se frytet e këtyre marrëveshjeve do të jenë mjaft cilësore për të dyja Universitetet respektive.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, theksoi po ashtu rolin kryesor të Kryeministrit Edi Rama si dhe Ministres së Arsimit e Sportit Znj. Ogerta Manastirliu për politikat, idetë, interesimin, mbështetjen dhe kujdesin konkret që ata kanë treguar në fushën e ndërkombëtarizimit të IAL-ve shqiptare dhe, në mënyrë specifike, për Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës,duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek autoritetet politike, administrative dhe universitare italiane, për çeljen e programeve të parbashkëta të studimit, siç është rasti sot i nënshkrimit të marrëveshjeve për dy programet e studimit.

Pas fjalës së tyre, dy Rektorët, Prof. Dr. Roland Zisi dhe Prof. Francesco Cupertino, nënshkruan marrëveshjet për programin e dyfishtë të studimit, Bachelor, në “Inxhinieri Elektrike” dhe programin e përbashkët Bachelor në “Shkencat e Arkitekturës për Trashëgiminë”.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, vjen si pasojë e procesit të vazhdueshëm të ndërkombëtarizimit të UV-së, për ofrimin e programeve të dyfishta/përbashkëta me IAL-të Europiane.