njoftime

UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI” VLORË, MERR PJESË NË PANAIRIN E 3 – të MBARËKOMBËTAR TË LIBRIT AKADEMIK DHE SHKENCOR. AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË PROMOVON DY BOTIME TË UV: LIBRIN “STUDIME NDËRDISIPLINARE NË ALBANOLOGJI”, TË STUDIUESIT ROLAND ZISI DHE “BIBLIOGRAFIA E UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, PJESA II, PERIUDHA 2006 – 2023″, PËRGATITUR NGA ALBERT HABAZAJ. UV – NJË LOGO DINJITOZE SHKENCORE DHE AKADEMIKE

 

Në datat 23, 24 dhe 25 prill 2024, u zhvillua në Tiranë, Panairi i 3-të mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor, një aktivitet i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë,  Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe IAL – të shqiptare. Ky panair synonte që të prezantonte dhe promovonte arritjet më cilësore të botimeve akademike, shkencore dhe universitare, si dhe të promovonte figurën dhe personalitetin e shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.

Ky panair ishte më shumë se një ekspozim librash dhe aktivitetesh, pasi ishte një mesazh mbi nevojën e konsolidimit të një shoqërie që vendos një raport racional mes dëgjimit, leximit, mendimit dhe të shprehurit/të folurit, si dhe një mesazh mbi domosdoshmërinë e farkëtimit të një shoqërie ku intelektualët, shkencëtarët dhe studiuesit, nderohen dhe orientojnë zhvillimet e vendit.

Në ditën e dytë të Panairit, mes aktiviteteve të tjera, u zhvillua edhe promovimi i librit “Studime ndërdisiplinare në albanologji“, i autorit, Prof. Roland Zisi, botim i plotë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si dhe promovimi i librit Bibliografi e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë,  Pjesa e e II,  2006 – 2023″, përgatitur nga Albert Habazaj, botim i plotë i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

 

Merrnin pjesë në këtë aktivitet, Kryetari  ASHSH, Ak. Skënder Gjinushi, anëtarë të ASHSH, pedagogë nga universitetet shqiptare si dhe dashamirës të librit akademik dhe universitar. Kjo veprimtari promovuese, u çel nga Ak. Vaso Tole, nënkryetar i ASHSH, i cili në emër të institucionit, konfirmoi nivelin cilësor të bashkëpunimit mes ASHSH dhe UV, në fushën e shkëmbimit të eksperiencave të përbashkëta akademike e shkencore. Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë për faktin se Akademia e Shkencave të Shqipërisë ishte iniciatore e botimit dhe promovimit të librit “Studime ndërdisiplinare në albanologji“, (ISBN  9789928809186) i studiuesit Roland Zisi, anëtar i departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane, të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

 

Përveç ak. Vaso Tole, për vlerat dhe kontributet shkencore të librit me studime ndërdisiplinare albanologjike, të studuesit Roland Zisi, folën Prof. Teuta Toska, Drejtuese e Departamentit të Gjuhësisë, në Fakultetin e Shkencave Humane, në  Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, të Elbasanit, Prof. Bardhosh Gaçe, Dr. Ermir Xhindi, dhe Përgjegjësi i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

 

Në fund autori i librit, Prof. Roland Zisi, pasi i falenderoi të pranishmit për vlerësimin e treguar ndaj tij, theksoi se: ” E çmoj shumë angazhimin Tuaj për të qenë prezent në këtë aktivitet promovues dhe për të folur për studimet e mia në këtë botim të fundit, por, me shumë kënaqësi dhe respekt, këtë vlerësim individual unë do ta  transferoj tek Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe sidomos tek kolegët e mi të UV që kanë paraqitur në këtë panair botime studimore të plota. Vepra Bibliografi e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë,  Pjesa e e II,  2006 – 2023″, përgatitur nga Albert Habazaj, një botim i plotë i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, që përmbledh indeksin e botimeve shkencore të personelit akademik të UV, botimet e plota të kolegëve të mi, dhe mbi të gjitha Logoja përfaqësuese shkencore e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. kanë më tepër rëndësi se libri dhe emri im. Jo në rolin e studiuesit por në cilësinë e Rektorit, më lejoni që, me shumë krenari, t’Ju kujtoj se, në renditjen e fundit të entit ndërkombëtar SCOPUS, për kontributin shkencor të institucioneve kërkimore-shkencore shqiptare, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, renditet në vendin e 8, ndër 43 IAL/Organizata/Institute kërkimore shqiptare si dhe në vendin e parë mes IAL – ve rajonale.”

 

Në të gjitha ditët e panairit, përmes stendës së tij, në ambientet e jashtëme të ASHSH, Tiranë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, përfaqësohej me botimet e plota të pedagogëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke krijuar kësisoj një dritare të veçantë në shpërndarjen e dijeve shqiptare, kërkimit shkencor universal dhe të drejtës së autorit.