njoftime

KOMANDANTI I RI I GUARDIA DI FINANZA NË SHQIPËRI, MAJOR FRANCESKO DELLA CORTE, VIZITON UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI” VLORË

Me iniciativën e Përgjegjësit të Departamentit të Drejtësisë, Phd. Erion Hitaj dhe me ftesë të Rektorit të UV, Prof. Roland Zisi, ditën e premte, datë 09. 02. 2024, Komandanti i ri i Guardia di Finanza në Shqipëri, Major Francesco della Corte, vizitoi Universitetin “Ismail Qemali”. Vlorë. Kjo vizitë u krye me rastin e marrjes prej tij, të detyrës së re në Shqiperi dhe synimit të Guardia di Finanza, për thellimin e bashkëpunimit me UV. Në këtë vizitë, Majori Francesco della Corte shoqërohej nga Komandanti i Guardia di Finanza, dega Vlorë, Kapiten Antonio de Maria.

Komandanti i ri i Guardia di Finanza në Shqiperi dhe delegacioni që e shoqëronte u prit në Rektorat, nga Rektori i UV, Prof. Roland Zisi, Prof. asoc. Enkelejd Mëhilli, zëvëndësrektor, për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zhvillimin Institucional, Phd. Erion Hitaj, Përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë në Fakultetin e Shkencave Humane si dhe nga znj. Eloina Tozaj, Drejtore e Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore në UV.

Rektori i UV, Prof. Roland Zisi, pasi falenderoi Komandantin e ri të Guardia di Finanza në Shqiperi Major Francesco della Corte dhe delegacionin që e shoqëronte, për shprehjen e interesit për takim institucional në UV, e informoi atë për sfidat dhe objektivat strategjike të institucionit që drejton, përmes një panorame të shkurtër për programet e studimit që zhvillohen në UV, procesin mësimor, kërkimin shkencor si dhe për arritjet në fushën e ndërkombëtarizimit. Pjesë e kësaj panorame ishin edhe programet e përbashkëta të studimit me IAL italiane si dhe partneritetet e qëndrueshme të UV me dhjetra universitete italiane. Më tej, Prof. Roland Zisi shprehu konsideratën e tij për rolin dhe kontributin historik të Guardia di Finanza në Shqiperi, qysh prej fillimit të shekullit të kaluar e sidomos për kontributin e spikatur të këtij institucioni italian, për vendin tonë, në këto 30 vjetët e fundit.

 

Nga ana e tij, Major Francesco della Corte, shprehu kënaqësinë për vizitën dhe konsideratën për mikpritjen nga UV, duke theksuar se institucioni që ai do të drejtojë në vijim në vendin tonë, ka shumë interes të bashkëpunojë me IAL shqiptare, veçanërisht me UV, në fushën e shkëmbimit të eksperiencve profesionale dhe organizimit të takimeve apo seminareve të përbashkëta, produkti i të cilave do të vihet në shërbim dhe në funksion të programeve të studimit dhe studentëve, sidomos studentëve të fushave të drejtësisë, ekonomisë dhe shkencave detare.  Më tej, Major Francesco della Corte, i përcolli Rektorit të UV, dëshirën dhe interesin e Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza, Itali, për të vizituar në muajt në vijim, Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Rektori Prof. Roland Zisi shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për interesin e treguar nga ana e Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza, Itali, për të vizituar UV.

Në fund të bisedimeve, Komandanti i ri i Guardia di Finanza në Shqipëri Major Francesco della Corte, Rektori i UV Prof. Roland Zisi dhe pjesëmarrësit në këtë takim, ranë dakord për hartimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërinstitucionale të Bashkëpunimit, e cila  do të vendosë në perspektivë ligjore dhe organizative termat dhe referencat e marrëdhënieve institucionale, në të ardhmen.