njoftime

UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË NËNSHKRUAN MARREVESHJE BASHKEPUNIMI ME UNIVERSITETIN “ABERTA”, LISBONË, PORTUGALI. CENTRE OF REGIONAL DEVELOPMENT NË UV – PJESË  E PROJEKTIT “CRED4TEACH”, ERASMUS+, FINANCUAR NGA BASHKIMI EUROPIAN

Në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe zgjerimit të hartës së partneriteteve me universitete europiane, në datën 05. 11. 2024, Rektori i UV Prof. Roland Zisi zhvilloi një takim pune në Universitetin “Aberta”, Lisbonë, Portugali. Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ndërinstitucional mes UV dhe Universitetit “Aberda”, Lisbonë, Portugali. Ai u prit në zyrën e saj nga Rektorja e këtij universiteti, Prof. Carla Padrel de Oliveira dhe nga Prof. Glória Bastos, korodinatore institucionale.

Prof. Carla Padrel de Oliveira, dhe Prof. Glória Bastos, fillimisht  i prezantuan Rektorit të UV një panoramë të përgjithshme të institucionit që ato drejtojnë, duke e vendosur fokusin tek programet e studimit që ofrojnë për studentët, zhvillimin e procesit mësimor online si dhe tek kryerja edhe e studimeve doktorale dhe mobiliteteve të studentëve dhe personelit në formatin online.

Nga ana e tij Rektori i UV Prof. Roland Zisi shprehu interesimin e tij për eksperiencën e Departamentit të Edukimit në Distancë të këtij universiteti, për përvojën e re të aplikuar së fundi në disa IAL europiane për proces mësimor online dhe më pas u prezantoi të pranishmëve, një panoramë të plotë të profilit akademik dhe organizativ të UV, të rrugës së përshkuar prej tij qysh nga viti 1994, kur çeli për herë të parë auditoret për studentët e deri në ditët e sotme. Rektori i UV, Prof. Roland Zisi, riafirmoi edhe një herë synimet kryesore të institucionit që drejton të cilat lidhen me rolin dhe funksionin e kulturës universitare në jetën  e shoqërisë, me sfidat në fushën e kërkimit teknologjik dhe shkencor, si dhe me krijimin e lidhjeve të përhershme ndërmjet universiteteve mesdhetare e europiane, nëpërmjet shkëmbimit të ndërsjellë të përvojova shkencore.

Në funksion të këtyre objektivave, të dy rektorët nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ndërinstitucional mes UV dhe Universitetit “ABERDA”, e cila nënkupton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale në funksion të interesave dhe aspiratave të studentëve dhe personalit akademik, për të përfituar nga organizimet dhe shërbimet akademike të ofruara nga të dy institucionet respektive.

Në vijim të dy rektorët morën pjesë edhe në një nga seancat e  trainimit tre ditor, me temë: “Zhvillimi i mësuesve në Shqipëri, Ukrainë dhe Mali i Zi: konceptimi dhe akreditimi i mikrokrediteve“, aktivitet i zhvilluar në Universitetin “Aberda”, Lisbonë, Portugali, në kuadër të Projektit “CRED4TEACH“, (Program Erasmus+), në të cilin UV, përmes kontributit të strukturës së tij, Centre of Regional Develpment, drejtuar nga Dr. Eva Çipi, është një prej partnerëve, krahas shtatë universiteteve të tjerë europianë.  Ky trainim kishte për qëllim krijimin e platformës së kushteve mbështetëse administrative e teknike në IAL, në shërbim të nevojave të programeve të studimit në fushën e mësuesisë, të mësuesve, dhe vendimmarrësve arsimorë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Ukrainë, për ofrimin mikrokredencialeve të bazuara në Massive Open Online Courses (MOOCs).

Në takimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ndërinstitucional mes UV dhe Universitetit “ABERDA”, ishin të pranishme edhe znj. Eloina Tozaj, Drejtore e Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore dhe znj. Rezarta Sinanaliaj, Drejtore e Projekteve dhe Sigurimit të Brendshëm, të cilat përfaqësuan UV në trainimin me temë: “Zhvillimi i mësuesve në Shqipëri, Ukrainë dhe Mali i Zi: konceptimi dhe akreditimi i mikrokrediteve“, si pjesë administrativo-teknike, e grupit të UV, në kuadër të Projektit CRED4TEACH, (Program Erasmus+).

Për më shumë shih:

#universidadeabertadeportugal #cred4teach

#mikrokredencialet

#ErasmusPlus

#erasmus

https://www.facebook.com/cred4teach

https://www.instagram.com/cred4teach/