njoftime

ORGANIZOHET CEREMONIA E DIPLOMIMIT TË 1100 STUDENTËVE TË UV PER VITIN AKADEMIK 2022-2023

Në ambientet e Pallatit të Sportit “Flamurtari” Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, kremtoi pasdditen e të premtes, më 12.01.2024 ceremoninë e diplomimit të studentëve të UV për vitin akademik 2022-2023.

Në ceremoninë e organizuar si finalizim i përfundimit me sukses të rrugëtimit akademik të 1100 studentëve, ishin të pranishëm pedagogë të UV, Anëtarët e Senatit Akademik, përfaqësues të pushtetit lokal; kryetari i Bashkisë Vlorë, z. Ermal Dredha, deputetët e Qarkut të Vlorës, z. Vullnet Sinaj, z. Anduel Tahiraj, z. Arbër Agalliu, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Vilma Bello, Prefekti i Qarkut të Vlorës, z. Flamur Mamaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, z. Ervis Moçka, Drejtoresha e Zyrës Arsimore Vendore Vlorë-Himarë, znj. Gentjola Shehu, Drejtoresha e Spitalit Memorial, Fier, znj. Rudina Degjoni, shoqëruar nga nëndrejtori, mjeku Mesut Karatas, familjarë të studentëve si dhe shumë aktorë të tjerë, me të cilët UV ka kryer bashkëpunime mjaft të suksesshme.

Ceremonia u hap nga Kryetari i Senatit Akademik, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili e nisi fjalën përshëndetëse me faktin se, kjo veprimtari festive e diplomimit të studentëve inaguron vargun e veprimtarive të shumta që UV do të organizojë këtë vit, nisur nga fakti që viti 2024 është viti Jubilar, i 30- vjetorit të themelimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, 30 vite veprimtari, sfida, arritje, vështirësi dhe progres.

Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, shprehu mirënjohjen ndaj studentëve dhe familjarëve të tyre që jo vetëm zgjodhën UV për të realizuar ëndrrat profesionale por edhe për bashkëpunimin mjaft rezultativ në rrugën plot sfida të jetës akademike dhe humane, duke theksuar se, kryefjala dhe krenaria e Universitetit “Ismail Qemali” janë studentët e tij që në këto tri dekada i kanë dhënë atij bukuri, nderim, forcë dhe autoritet kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Në vitet e studimit ju, i keni zbukuruar auditorët dhe ambjentet e UV. Ne ju urojmë nga zemra që me diplomën e UV, me vrullin dhe inteligjencën tuaj, të zbukuroni jetën tuaj individuale, jetën profesionale dhe familjare. Ëndrra juaj vazhdon! Suksese”, e mbylli fjalën përshëndetëse, Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e kësaj dite të veçantë për çdo student të diplomuar i cili tanimë do të hedhë hapat drejt një tjetër rrugëtimi, si një aset i vyer që do të kontribuojnë nesër me dijet e tyre në vendin tonë, me një tjetër mision, akoma më të madh, të mobilizimit përmes aftësive, ideve, energjisë dhe talentit të tyre për t’i shërbyer Vlorës. Kryebashkiaku i Vlorës theksoi se, Bashkia e Vlorës ka ndërmarrë një sërë nismash në ndihmë të të rinjve, nxënësve dhe studentëve, duke garantuar se vet personalisht do të japë gjithmonë mbështetjen maksimale për UVdhe nevojat e tij. Të gjithë ata të rinj e të reja që kanë aftësinë për të punuar dhe kanë ide të reja do të gjejnë plotësisht mbështetjen e institucionit që drejton, theksoi Kryetari i Bashkisë Vlorë, z. Ermal Dredha.

Ashtu siç dhe e kërkon tradita, përshëndetje dhe urime të veçanta për suksese të mëtejshme në këtë rrugëtim të ri të studentëve të diplomuar u përcollën nga Dekanët e Fakulteteve: Dekani i Fakultetit te Shkencave Teknike dhe Natyrore, Prof. Asoc. Hajdar Kiçaj, Dekania e Fakultetit të Shëndetit, Prof. Asoc. Aurela Saliaj, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Albert Qarri dhe nga Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Armela Panajoti.

42 studentëve Ekselentë të diplomuar në UV për vitin akademik 2022-2023 ju dorëzuan dhe Certifikatat e Ekselencës, si shpërblim i merituar i punës së tyre shumë rezultative gjatë rrugëtimit akademik.

Përshëndeti në ceremoninë e diplomimit sudenti ekselent i Departamentit të Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Humane, z. Indrit Lita, njëherazi dhe student i grupit fitues të UV në kompeticionet kombëtare Moot Cours Albania dhe në edicionin e IV të Debatit Universitar 2023. Ai në fjalën e tij shprehu mirënjohjen ndaj pedagogëve të UV për mbështetjen e vazhdueshme gjatë viteve të studimeve, si një nxitje e sigurtë drejt sukseseve të mëtejshme.

Vlerësime dhe mirënjohje për punën serioze të stafit akademik të UV u përcollën dhe nga studentja ekselente e Fakultetit të Shëndetit, Sirela Hoxhaj, e cila e përmbylli ciklin e studimeve me mesataren 10 absolute.

Pas fjalëve përshëndetëse ceremonia vijoi me shpërndarjen e diplomave për 42 studentët ekselentë.

Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi i dorëzoi diplomën e ekselencës studentes së Fakultetit të Shëndetit, Sirela Hoxhaj, e cila bëri dhe betimin e Hipokratit drejtuar të gjithë studentëve të tjerë të Fakultetit të Shëndetit të cilët u ngritën në këmbë gjatë betimit të Hipokratit si tregues i ndjeshmërisë njerëzore dhe profesionale për të qënë profesionistë të devotshëm në profesionin e tyre pas përfundimit të ciklit të studimeve.

Në fund, ceremonia e diplomit kulmoi me momentin final, ku mes atmosferës shumë festive, 1100 studentët e diplomuar të UV, në vitin akademik 2022-2023 hodhën kapelet si shenjues i përfundimit me sukses të ciklit të studimeve akademike për të nisur tanimë rrugëtimin e tyre profesional.