njoftime

KRYETARI I ASHSH, AK. SKËNDER GJINUSHI ZHVILLON VIZITË ZYRTARE NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI” VLORË

 

Me ftesë të Rektorit të UV, ditën e premte, datë 15. 12. 2023, Kryetari i Akademisë së Shkencave të ShqIpërisë, Ak. Skënder Gjinushi, zhvilloi një vizitë në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, i shoqëruar nga Sekretari Shkencor i ASHSH, Ak. Shaban Sinani si dhe nga Prof. Mimoza Hafizi, Prof. Floran Vila dhe Prof. Besnik Bare.

Kryetari i ASHSH, Ak. Skënder Gjinushi dhe delegacioni që e shoqëronte, fillimisht u prit në zyrën e tij nga Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi dhe zëvendësrektori i Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit Institucional, Prof. asoc. Enkelejd Mëhilli.

Më pas, në zyrën e Rektorit u zhvillua një bashkëbisedim me Anëtarët e Rektoratit të UV: Administratori i UV, z. Sajmir Xhelaj, zëvendësrektori Prof. asoc. Enkelejd Mëhilli, Prof. Asoc. Hajdar Kiçaj, Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore, Pof. Dr. Albert Qarri, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dekania e Fakultetit të Shëndetit,  Prof. Asoc. Aurela Saliaj dhe Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Armela Panajoti.

Në të dy takimet e organizuara u diskutua kryesisht për nivelin dhe cilësinë e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy institucioneve, intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit, përmes veprimtarive në fushën e kërkimit shkencor dhe publikimeve, shkëmbimin e burimeve njerëzore dhe përvojave akademike e shkencore. Gjithashtu pjesë e diskutimeve ishte edhe situata ekzistuese mes sistemit parauniversitar dhe atij universitar, rishikimi i kurrikulave dhe politikave arsimore me qëllim rritjen e interesit të maturantëve për programe cilësore studimi, sidomos në fushën e shkencave natyrore.

Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi dhe anëtarët e Rektoratit duke e falenderuar Ak. Skënder Gjinushin, për vizitën e tij në UV, e uruan atë për sukses e mbarësi institucionale në mandatin e dytë në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më pas zhvilluan një bashkëbisedim miqësor me kolegët e ASHSH, duke e vënë theksin te sfidat e përbashkëta në funksion të realizimit të misionit të tyre institucional, si dhe në kontributin intelektual i cili duhet të ketë impakt në zhvillimet ekonomike, sociale e kulturore të vendit.

Kryetari i ASHSH Ak. Skënder Gjinushi, i falenderoi autoritetet drejtuese të UV, për ftesën dhe mikpritjen dhe më pas theksoi se, ai vet personalisht, ka ndjekur me mjaft interes të gjithë rrugëtimin e UV, zhvillimin e këtij institucioni ndër vite, sfidat që ka përballuar, vlerat dhe autoritetin që ai ka fituar në sistemin universitar shqiptar,  duke nënvizuar se edhe në të ardhmen të dy institucionet do të bashkëpunojnë ngushtësisht me qëllim krijimin e produkteve intelektuale e shkencore në të mirë të shoqërisë dhe vendit.

Më pas, në Bibliotekën Qendrore të UV “Nermin Vlora Falaschi”, në praninë e një auditori të përbërë nga pedagogë e studentë të FSHTN dhe të FE, të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, dhe mësues të Shkencave Natyrore të sistemit parauniversitar të Rajonit të Vlorës, Kryetari i ASHSH, Ak. Skënder Gjinushi, në rolin e profesorit të matematikës, mbajti një Lectio Magistralis, në fushën e  Analizës Funksionale.