Transumanca (shtegtimi i bagëtive), me histori mijëravjeçare, si një praktikë blegtorale me vlera ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore, materiale dhe shpirtërore, jo vetëm për komunitetet baritore, por edhe për jetën dhe ekonominë rurale në tërësi, si një traditë e ruajtur me kujdes në vendin tonë, që ka mbërritur deri në ditët tona, duke shënjuar një element të identitetit kulturor të shiptarëve, u pranua si “trashëgimi kulurore jomateriale e Njerëzimit” nga UNESCO.
Vendimi u shpall në sesionin e 18-të të Komitetit Ndërqeveritar për mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale, që u mbajt në Botsvana, nga 03.12.2023 deri 09.12.2023 dhe u bë i ditur nga Ministria e Kulturës Znj. Elva Margariti e RSH-së.
Kjo arritje, që entuziasmoi shqiptarët, është fryt i punës dhe bashkëpunimit shumë efikas midis Ministrisë së Kulturës, Grupit të Ekspertëve (akademikë dhe specialistë) dhe AADF-se (financues i projektit).
Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, ka një arsye më shumë për të qenë krenar për ketë arritje, pasi Koordinatorja e ekipit që përgatiti dosjen kombëtare dhe përfaqësuese e Shqipërisë në Komitetin Teknik Ndërkombëtar per Transumancën është një prej pedagogeve të tij, PhD. Esmeralda LAÇI.
Ajo ishte sot e ftuar ne Top Channel, ne emisionin Wake Up, ku foli për vlerat e transumancës dhe rëndësinë e pranimit të saj në UNESCO.
Angazhimi me sukses i saj dhe i studiuesve të tjerë në këtë projekt është dëshmi e kontributit që bota akademike mund të japë për evidentimin dhe promovimin e vlerave komunitare dhe kombëtare.
Me këtë rast, UV-ja përgëzon PhD. E. LAÇI për punën e shkëlqyer dhe i uron asaj, ekserteve të tjerë brenda dhe jashtë vendit, Ministrisë së Kulturës dhe AADF-së suksese në evidentimin dhe promovimin e vlerave të tjera të kulturës shqiptare.
Tashmë lista e resurseve kulturore të rajonit tonë dhe Shqipërisë pasurohet me një vlerë të shtuar të njohur ndërkombëtarisht.
https://youtu.be/twWXFmvjxdg?si=JfLZdgaq-koc3DjK