njoftime

NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI” VLORË, PROMOVOHET LIBRI “GIOVANNI  FALCONE – NJË HERO I VETMUAR”, SHQIPËRUAR NGA GJYQTARI  ENGERT PËLLUMBI

Ditën e premte, datë 01. 12. 2023, në sallën “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vorë, u organizua promovimi i librit “Giovanni Falcone – një hero i vetmuar”, i autoreve Maria Falconedhe  Francesca Barra, shqipëruar nga origjinali italisht, nga Gjyqtari Engert Pëllumbi.

Promovimi i kësaj vepre me rëndësi të veçantë jo vetëm për sistemin e drejtësisë, u ideua dhe u realizua nga Departamenti e Drejtësisë në UV, në bashkëpunim me Gjyqtarin Engert Pëllumbi. Në këtë promovim ishin të pranishëm studentë të programeve të studimit të fushës së drejtësisë, pedagogë, magjistratë, avokatë, mes tyre edhe Gjyqtari z. Sokol Ngresi, Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Vlorë, z. Durim Bajrami, miq dhe dashamirës të autorit.

Aktiviteti u çel dhe u moderua nga Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë, PhD. Erjon Hitaj, i cili theksoi faktin se, libri “Giovanni Falcone – një hero ivetmuar” i shqipëruar nga Gjyqtari Engert Pëllumbi është shembulli më i mirë i modelit për të cilin ka nevojë shoqëria jonë në këto momente e në të ardhmen. Sipas tij, shoqëria jonë nuk duhet të ketë gjyqtarë apo prokurorë të vrarë por duhet të ketë ekspert drejtësie me integritet profesional dhe moral, si rasti i z. Engert Pëllumbi, të cilët japin drejtësi përmes zbatimit të ligjit, akte të cilat na çojnë tek fitoret mbi padrejtësinë dhe mbi plagët shoqërore.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori Prof. Dr. Roland Zisi, theksoi se është kënaqësi dhe nder i veçantë për UV, të ketë të ftuar gjyqtarin dhe ekspertin e fushës së drejtësisë z. Engert Pëllumbi dhe të organizojë prezantimin e librit “Giovani Falkone – një hero i vetmuar”, të shqipëruar prej tij. Sipas tij, auditoret e UV, krahas veprimtarive mësimore e kërkimore, janë të hapura dhe mirërpresin, në çdo moment, organizimin e simpoziumeve, seminareve, leksioneve të hapura dhe ligjërimeve me ekspertë, autorë, shkrimtarë, juristë apo profesionaistë të spikatur vendas dhe të huaj. Shembulli i Falkones, i sjellë për publikun shqiptar nga z. Engert Pëllumbi, është mjaft domethënës pasi siç të gjithë e dimë, ai sakrifikoi edhe jetën e tij, për të vënë në jetë idealin e drejtësisë dhe të luftës pakompromis ndaj mafies, nënvizoi, mes të tjerash, në fjalën e tij, Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi.

Dr. Ermir Xhindi prezantoi më pas një reçension të thelluar dhe tepër profesional mbi natyrën, karakteristikat dhe vlerat e kësaj vepre, duke u fokusuar tek konteksti historik dhe juridik i figurës së G. Falcone-s, tek universaliteti i temës dhe problematikave të veprës, tek korrektësia gjuhësore dhe stilistikore e shqipëruesit, duke e cilësuar atë një punë dinjitoze në fushën e drejtësisë dhe filologjisë.Sipas Dr. Ermir Xhindit, shqipërimi i kësaj vepre nga z. Engert Pëllumbi është kontributi dhe dëshmia kulturore më e mirë, mbi një çështje madhore që nënkupton identitetin profesional, moral e shoqëror, të njerëzve që marrin përsipër të materializojnë në një shoqëri, drejtësinë, vlerat dhe virtytet e saj.

Më pas, Gjyqtari Sokol Ngresi, Kryetarii Dhomës së Avokatisë, Vlorë, Durim Bajrami, magjistratë dhe të pranishëm folën për vlerat profesionale të gjyqtarit Engert Pëllumbi dhe vlerat e librit të shqipëruar prej tij.

Në fjalën e tij gjyqtari Engert Pëllumbi, falenderoi Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Përgjegjësin e Departamentit të Drejtësisë z. Erion Hitaj dhe z. Roland Zisi, Rektorin e UV, për mikpritjen dhe organizimin e aktivitetit, duke theksuar se, personaliteti i Giovanni Falcone-s e ka frymëzuar që në ditët e para të prezantimit me të Drejtën, në auditorët e Fakultetit të Drejtësisë. Më tej ai theksoi se, me kalimin e kohës, figura e Giovanni Falcones u bë për të simboli i magjistratit, i njeriut që për këtë detyrë kaq fisnike si dhe për dashurinë ndaj vendit të tij dhe njerëzve, nuk do të kursente asgjë, as jetën. Përmes këtij personazhi real arrita të kuptoj, theksoi z. Pëllumbi, përmasat e vërteta të detyrës që kisha nisur të kryeja. Më pas magjistrati dhe gjyqtari Engert Pëllumbi, iu përgjigj pyetjeve të bëra nga auditori, kryesisht nga studentët e drejtësisë, të cilët kërkonin të dinin më shumë, jo vetëm për figurën e G. Falcone-s por edhe për jetën dhe eksperiancat e tij si ekspert drejtësie.