Ditën e martë, datë 31.10. 2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi dhe Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, Prof. Dr. Bektash Mema, pritën në UV, Rektorin e Universitetit të Salentos. Leçe Itali, Prof. Dr Fabio Pollice dhe delegacionin që e shoqëronte: Prof. Gennaro Scarselli, zëvendësrektor, Prof. Monica Genesin, Mrs. Flora Koleci dhe Mr. Thomas Christiansen, si dhe përfaqësuesin e Universitetit të Bazilikës, Itali, Dr. Michele Greco. Në takim ndodheshin edhe zëvendësrektore e Universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, Prof. asoc. Merita Isaraj si dhe Prof. asoc. Frosina Londo, zëvendësrektore akademike, Prof. asoc. Enkelejd Mëhilli, zëvendësrektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional, dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve, znj. Rezarta Sinanaliaj.
Vizita e Rektorit të Universitetit të Salentos. Leçe Itali, Prof. Dr Fabio Pollice në UV u zhvillua në kuadër të konsolidimit të marrëdhënieve mes tre universiteteve (UNIVLORA, UNIGJIROKASTRA dhe UNISALENTO) në fushën e organizimit të programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimeve akademike dhe kërkimit shkencor si dhe në kontekstin e “Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, referuar Thirrjes së Komisionit Evropian për partneritet të mundshëm akademik, si një bashkëpunim i Italisë me vende të Ballkanit.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, në fjalën hyrëse dhe përshëndetëse shprehu kënaqësinë dhe privilegjin e tij për praninë në UV të një drejtuesi dhe akademiku europian si Prof. Fabio Police, nderimin dhe mirënjohjen për interesin e treguar nga Universiteti i Salentos, ndaj UV, në kuadër të Iniciativave Arsimore Transnacionale me mundësi financimi nga Qeveria Italiane, për krijimin e urave të bashkëpunimit midis universiteteve rajonale si dhe për kontributin e përbashkët në ndërkombëtarizimin e UV.
Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, Prof. Dr. Bektash Mema, vlerësoi marrëdhënien e universitetit që drejton me universitetin e Salentos, në realizimin e programeve të studimit dhe projekteve të përbashkëta, të cilat konkretizojnë bashkëpunime cilësore në fushën e ndërkombëtarizimit. Ai vuri në dukje dhe vlerësoi eksperiencat e shkëlqyera akademike të Universitetit të Gjirokastrës në bashkëpunimet e deritanishme me institucionet e larta arsimore të Italisë së Jugut duke shprehur vendosmërinë pët thellimin dhe konsolidimin e këtyre veprimtarive.
Rektori i Universitetit të Salentos, Prof. Dr. Fabio Pollice, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi Rektorët e UV dhe UGJ për mikpritjen e tyre, duke pohuar se takimi i zhvilluar në kuadër të “Bashkëpunimit Ndërkombëtar” dhe Thirrjes pë Partneritet Europian, është një instrument mjaft i vlefshëm për thellimin e bashkëpunimeve konkrete të deritanishme, përmes projekteve, për realizimin e mobiliteteve akademike dhe iniciativave institucionale, që përfshijnë një teritor shumë të gjerë, me qendër ballkanin dhe vendet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqi etj, me partneri kryesor Italinë. Më pas ai prezantoi thelbin e projektit gjithëpërfshirës “Bashkëpunimi Ndërkombëtar”, i cili ka për qëllim krijimin e grupit të partnerëve të ballkanit me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit, mbështetjen e inovacionit dhe konkurrencës, nxitjen e mobilitetetve për stafin akademik dhe studentët si dhe bashkëpunimin ndërkulturor në rajon. Prof. Pollice theksoi se ky ishte vetëm takimi i parë në kuadër të “Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, referuar Thirrjes së Komisionit Evropian për partneritet të mundshëm akademik, si një bashkëpunim i Italisë me vende të Ballkanit. Të tjera takime do të kryhen në vijim me qëllim finalizimin e projektit, aplikimin dhe fitimin e tij.
Rektorët e UV dhe UGJ mbështetën idenë e Rektorit të Universitetit të Salentos Prof. Fabio Pollice, për krijimin e Aleancës së Universiteteve Adriatiko-Joniane dhe ranë dakord që tre universitetet që përfaqësojnë, të përbëjnë bërthamën fillestare të saj, duke vijuar shumë shpejt me axhendën e takimeve me universitetet e tjera për formësimin dhe legalizimin e këtij asociacioni.
Vizita një ditore e Rektorit të të Universitetit të Salentos Prof. Fabio Pollice dhe e delegacionit që e shoqëronte, në Vlorë dhe UV, u vlerësua si një ngjarje e rëndësishme në fushën e e politikave institucionale, në funksion të materializimit në praktikë të linjës strategjike të ndërkombëtarizimit të UV dhe UGJ.