Në kuadër të programit Erasmus+, në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, vijnë çdo vit studentë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian që janë pjesë e programit për të studiuar një semestër ose më shumë, sipas programit të tyre të studimit.
Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, priti ditën e hënë, datë 16.10.2023, në zyrën e tij gjashtë studentë të huaj, të cilët kanë zgjedhur të zhvillojnë në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë një semestër në bazë të programit të studimit Erasmus + KA171.
Studentët:
- Alvilde Yttredal Alsaker dhe Linn Kristin Eliassen, Unviersiteti “VID”, në Norvegji, Departamenti i Infermierisë, të cilët do të zhvillojnë një semestër, në Fakultetin e Shëndetit, Departamenti i Infermierisë.
- Nuutti Kuivuranta dhe Jesse Nokelainen, Universiteti “Tampere” në Finland, Departamenti i Infermierisë, të cilët do të zhvillojnë një semestër, në Fakultetin e Shëndetit, Departamenti i Infermierisë.
- Dumitru Selivestru dhe Dmitri Guleac, Universiteti “Transilvanisë së Brashovës”, në Rumani, Departamenti i Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare, të cilët do të zhvillojnë një semestër, në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, në Departamentin e Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, duke iu uruar mirëseardhjen studentëve, i falenderoi që kanë zgjedhur UV për të zhvilluar një semestër në kuadër të programit të studimit Erasmus + KA171. Ai i garantoi studentët se, strukturat akademike dhe ndihmësakademike të UV do t’i kenë në gadishmëri të plotë për cdo kërkesë apo nevojë të tyre. Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi iu pohoi studentëve që, jo vetëm do të kalojnë një semestër studimi në UV mjaft rezultativ por do të kenë mundësi që të shijojnë një qytet si Vlora, me atraksione të shumta turistike, si destinacione për t’u vizituar.
Studentët, duke e falenderuar Rektorin e UV për mikpritjen theksuan faktin se, nuk e kanë zgjedhur rastësisht Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, por pasi janë nxitur nga përshtypjet e transmetuara më herët nga studentët e huaj, miq të tyre, të cilët kishin mbetur shumë të kënaqur nga mobiliteti i Erasmus + në UV.
Programi Erazmus+ i jep mundësinë të gjithë studentëve në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, të zhvillojnë dhe shkëmbejnë njohuri dhe përvojë në institucione dhe organizata në vende të ndryshme. Studentët kanë një mundësi të artë për të njohur dhe studiuar në një gamë të gjërë në vende të ndryshme të Europës.
Shtimi i ofertës akademike në Universitetin “Ismail Qemali”, duke iu ofruar studentëve të huaj programe studimi në gjuhën angleze ka ndikuar në rritjen e interesimit të studentëve nga shumë universitete europiane për të zhvilluar mobilitete Erasmus+ në UV.