njoftime

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi vizitë pune në Università degli Studi di Palermo. Mirëpritet nga Rektori i Universitetit të Palermos, Prof Dr. Massimo Midiri. Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy institucioneve. Takim në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe me Prof. Matteo Mandalà dhe Prof. Gëzim Gurga.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, më 14 dhe 15 shtator 2023, zhvilloi një vizitë pune dy ditore në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo). Ai u prit fillimisht nga Rektori, Prof. Dr. Massimo Midiri me të cilin zhvilloi një bisedë të frytshme me objektiv fillimin e një partneriteti ndërinstitucional në funksion të axhendave të përbashkëta akademike, kërkimore-shkencore e pedagogjike.
Në fjalën e tij, Rektori i Università degli Studi di Palermo, Prof. Dr. Massimo Midiri shprehu angazhimin e tij personal me qëllim që dy institucionet të ndërtojnë dhe vënë në zbatim politika efikase në fusha me interes të përbashkët siç janë programet e inxhinierive detare, infermieri dhe albanologji, shkëmbimin e eksperiencave, personelit akademik e studentëve përmes projekteve e programeve europiane por edhe përmes iniciativave nga vetë departamentet e dy universiteteve. Prof. Massimo Midiri evidentoi njohjen e tij për zhvillimet ekonomike e sociale të Shqipërisë, në veçanti për zhvillimet e turizmit të rajonit të Vlorës si dhe vlerësimin e tij pozitiv për hapat e hedhura nga UV në fushë të ndërkombëtarizimit, celjen e programeve të përbashkëta me universitetet italiane dhe të qenit tepër aktiv në programin Erasmus dhe projektet e financuara nga BE.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi shprehu kënaqësinë për ftesën e vizitës, mikpritjen dhe mirëkuptimin për termat e diskutimit, duke vendosur në vëmendje të Rektorit, Prof. Massimo Midiri, përpjekjet e UV për t’u përfshirë në rrjedhat dhe rrjetet europiane universitare, përmes të gjitha formave dhe veprimtarive organizative dhe akademike. Më tej Prof. Roland Zisi e falenderoi Prof. Massimo Midiri, për kujdesin dhe vëmendjen që Università degli Studi di Palermo ka treguar dhe tregon (qysh prej vitit 1806 që është themeluar), për  studimin dhe promovimin e identitetit shqiptar të arbëreshëve, përmes njësisë së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë universitet, e cila është shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme dhe autoritare të studimeve albanologjike.

Më pas, të dy rektorët nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes dy institucioneve e cila i çel rrugën disa veprimtarive dhe angazhimeve të personelit akademik, studentëve dhe strukturave të dy universiteteve të cilat do të kryhen në vijim, në respekt të një kalendari të detajuar. Me ftesë të Rektorit të UV Prof. Dr. Roland Zisi, Rektori i Universitetit të Palermos, Prof. Dr. Massimo Midiri, së shpejti do të vizitojë Vlorën dhe Universitetin “Ismail Qemali”, vizitë e cila do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy institucioneve si dhe materializimit në praktikë të termave të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ndërinstitucional.

Në ditën e dytë të vizitës së tij Rektori i UV Prof. Roland Zisi vizitoi Departamentin e Kulturës dhe Shoqërive (Culture e Società) të Universitetit të Palermos ku u prit nga Drejtori i këtij departamenti, Prof. Michele Cometa (Professore Ordinario di Storia della cultura visuale) si dhe nga Prof. Matteo Mandalà, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali si dhe Prof. Gëzim Gurga, profesor i gjuhës dhe kulturës shqipe, të dy pjesë e departamentit që drejton Prof. Michele Cometa. Në këtë takim u trajtuan kryesisht çështje të karakterit akademik e albanologjik, të iniciativave të përbashkëta studimore, kërkimore shkencore e publikuese me fokus promovimin e kulturave ballkanike e sidomos të kulturës shqiptare, në kontekstin e studimeve europiane.