njoftime

REKTORI I UV, PROF. DR. ROLAND ZISI MIRËPRET AMBASADOREN E IZRAELIT NË SHQIPËRI, ZNJ. GALIT PELEG.

Në kuadër të vizitës për herë të parë në qytetin e Vlorës të Ambasadores së Izraelit në Shqipëri, znj.
Galit Peleg, ditën e enjte, datë 29 qershor 2023, pjesë e axhendës ishte dhe vizita në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës.
Ambasadorja zhvilloi një takim miqësor në zyrën e Rektorit të UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili  shoqërohej nga Zëvendësrektoria Akademike, Prof. Asoc. Frosina Londo dhe Zëvendësrektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional PhD. Enkelejd Mëhillaj.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, duke e falenderuar Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, znj. Galit Peleg për interesin që tregon ndaj Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, theksoi faktin se, si titullar i këtij institucioni ndihet i nderuar nga vizita e  një diplomateje të suksesshme karriere si znj. Galit Peleg.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, pohoi se, Izraeli është një aleat dhe partner i rëndësishëm në mbrojtje dhe siguri për Shqipërinë dhe mbi të gjitha një shtet aktiv i Dialogut Mesdhetar të NATO-s.
Tradita e miqësisë mes Shqipërisë dhe Izraelit e kanë fillesën që në hershmëri,  kur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrenjve pas Luftës ishte më i madh se para fillimit të saj, tregues ky, sipas Rektorit të UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, i vazhdimësisë së  një miqësie të përhershme.

Rektori Zisi e njohu Ambasadoren e Izraelit me aktivitetin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, me sfidat dhe bashkëpunimet e mëtejshme në kuadër të ndërkombëtarizimit të UV-së, duke theksuar faksin se, konkretizimi në vijimësi i bashkëpunimeve akademike me universitete prestigjioze të Izraelit do të ishte me mjaft interes për UV-në, si tregues i përforcimit të marrëdhenieve miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit edhe në nivel akademik.

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, znj. Galit Peleg, duke e falenderuar Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland zisi, për mikpritjen pohoi se,  është e nderuar që viziton Universitetin “Ismail Qemali” në këtë vizitë të parë në qytetin e Vlorës. znj. Peleg theksoi se, e ka moto të punës së vet vizitën në institucionet e arsimit të lartë për faktin se, universiteti është institucioni që kultivon ardhmërinë e një shoqërie.

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, znj. Galit Peleg i siguroi Rektorit të UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi se, kjo vizitë e saj e parë në UV do të pasohet nga të tjera vizita përmes së cilave do të konkretizohen bashkëpunime konkrete mes universiteteve më prestigjioze të Izraelit me Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, nisur nga shumë programe të përbashkëta studimi dhe nga dëshira e përbashkët për përfitime dypalëshe në nivel akademik.