njoftime

REKTORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË, Prof. Dr ROLAND ZISI, TAKIM ME PËRFAQËSUES TË UNIVERSITETIT TË TEKNOLOGJISË “CHAOYANG”, TAJVAN

Në kuadër të ndërkombëtarizimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe të zgjerimit të hartës së bashkëpunimeve me universitetet e huaja, Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, ditën e premte, datë 23 qershor 2023, priti  në zyrën e tij,  Dr. Liza Lee, Ed. D,  Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Shkencave Sociale njëherazi Profesore e  Departamentit të Edukimit për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme dhe Koordinatore e projektit ECO ETEN, Universiteti i Teknologjisë “Chaoyang”, Tajvan.

 

Në fjalën përshëndetëse Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi duke e falenderuar Dekanen e Universitetit të  Teknologjisë “Chaoyang”, për interesin e treguar ndaj UV-së, theksoi faktin se, është kënaqësi e veçantë që mirëpret në zyrë përfaqësues të një universiteti të rëndësishëm nga Tajvani, me qëllim nohjen dhe nisjen e bashkëpunimeve në nivel akademik.

 

Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi pohoi se, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është i privilegjuar që është pjesë  e projektit ndëruniversitar botëror ECO ETEN, pjesë e së cilës është edhe   Universiteti i  Teknologjisë “Chaoyang”, Tajvan, ndërsa shtoi se, ky është takimi i parë në kuadër të bashkëpunimeve mjaft të frytshme që do të pasojnë mes Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit të Teknologjisë “Chaoyang”, veçanërisht në fushën e Edukimit  dhe në programet e Shkencave Kompjuterike, fusha me interes të përbashkët për të dy universitetet, si në shkëmbimin e njohurive dhe stafit, shkëmbimin e përvojave dhe kapaciteteve institucionale, shkëmbimin e studentëve në kuadër të programit Erasmus + si dhe përmes pjesëmarrjes së dy institucioneve në projekte kërkimore, konferenca, seminare etj.

 

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, theksoi se, kjo ishte vizita e parë e përfaqësuesve të Universitetit “Chaoyang” në UV ndërsa shprehu kënaqësinë e konkretizimit në vijimësi të shumë bashkëpunimeve mes dy universiteteve.

 

Dr. Liza Lee, Ed. D,  Dekanen e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Shkencave Sociale Universiteti i Teknologjisë “Chaoyang”, duke i shprehur konsideratat më të larta Rektorit të UV-së për mikpritjen shprehu interesinë e veçantë për nënshkrimin së shpejti të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy universiteteve, ndërsa theksoi faktin se, Universiteti “Chaoyang” do të ofrojë, për UV, bursa studimi falas për studentët, bursa dhe mundësi studimesh doktorale etj.

 

Në fund të takimit, Dr. Liza Lee, Ed. D, I dhuroi Rektorit të Uv-së Prof. Dr. Roland Zisit Stemën/logon e Universitetit “Chaoyang”, si simbol të nisjes së bashkëpunimeve konkrete mes dy universiteteve.