njoftime

TAKIM I STUDENTËVE TË UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI” VLORË, ME KANDIDATËT PËR ANËTARË TË BORDIT TË ADMINISTRIMIT

Ditën e hënë, datë 03.04.2023, në sallën “Rilindja”, të Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, u zhvillua takimi i studentëve të UV-së me dy kandidatët për anëtarë të Bordit të Administrimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë; Znj. Atilda Bedini dhe Z. Enrik Mehmeti .

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqsues të studentëvë nga të katërt Fakultetet e UV-së; Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave Teknike dhe Natyrore dhe Fakulteti i Shëndetit.

Dy kandidatët për anëtarë të Bordit të Administrimit, të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, përfaqësues të Studentëve, në kuadër të takimit përmbyllës të fushatës zgjedhore, shpalosën përpara studentëve platformat e tyre, duke iu garantuar atyre se, do të jenë përfaqësues dinjitozë të studentëve ne Bordin e Administrimit të UV-së, si një zë i fushishëm në mbështetje të të drejtave dhe kërkesave të studentëve.

Përmes këtij takimi të rëndësishëm, studentët patën mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre, duke dëgjuar dhe vlerësuar platformat e dy kandidatëve, në funksion të përfaqësimit të tyre në Bordin e Administrimit të UV-së. Pasi kandidatët shpalosën platformën e tyre individuale, ata ishin të hapur ndaj pyetjeve të shumta të studentëve.

Ky ishte takimi përmbyllës i fushatës zgjedhore ndërsa në datën 05. 04, 2023, trupa zgjedhore studentore e UV, do të zhvillojë zgjedhjet për anëtarin e Bordit të Administrimit, proces përmes së cilit studentët do të zgjedhin përfaqësuesin e tyre në BA të UV-së.