njoftime

PROMOVOHET NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI” VLORË, VEPRA “LIRIMI ME KUSHT”, I AUTORIT FLORJAN KALAJA.

Ditën e premte, datë, 31.03.2023, në sallën “Rilindja”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, nën kujdesin e veçantë të Rektorit të UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, në bashkëpunim me dhomën e Avokatisë Vlorë dhe Departamentin e Drejtësisë të UV-së,u organizua promovimi i monografisë “Lirimi me kusht”, i autorit Florjan Kalaja, me profesion gjykatës pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ishin të pranishëm në ceremoninë e përurimit studiues të çështjeve ligjore, ekspertë të jurisprudencës, avokatë, prokurorë, gjyqtarë dhe noterë të cilët operojnë në Vlorë edhe më gjerë, studentë të UV-së, veçanërisht studentë të Departamentit të Drejtësisë dhe pedagogë.

Aktiviteti u moderua nga gazetari, aktivisti i mirënjohur i shoqërisë civile, Aulon Kalaja i cili është njëherazi dhe vëllai i autorit, Florian Kalaja.

Në nisje të fjalës së tij ai theksoi faktin se, është kënaqësi dhe privilegj që moderon prezantimin e një tjetër vepre të vëllait të tij, i cili për gazetarin, Aulon Kalaja, Florjani ka qënë model frymëzimi për të kërkuar dhe përçuar gjithmonë të vërtetën, konform ligjit, përpara të cilit të gjithë janë të barabartë.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohje që promovimi i monografisë së Z. Florjan Kalaja u zhvillua në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, duke falenderuar për praninë e tyre në këtë aktivitet me vlera të veçanta, të gjithë të pranishmit, veçanërisht përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe ata të Dhomës së Avokatisë, për interesin e treguar.

Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi e cilësoi aktivitetin si shembull të qartë të pikëtakimit të pashmangshëm të eksperiencës gjyqësore dhe krijimtarisë kërkimore-shkencore, mbi nje institut aq aktual si ai i Lirimit me kusht, duke theksuar se Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Departamenti i Drejtësisë janë drejtpërdrejt të përfshirë në këtë nismë, duke reflektuar qartazi qasjen e këtij institucioni në shërbim të komunitetit dhe të interesave të drejtësisë. Për Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, vepra “Lirimi me kusht”do të shërbejë si udhërrëfyes për studentët e auditoreve por edhe për prakikantët e rinj të drejtësisë, parë kjo edhe në kontekstin e reformës rrënjësore të sistemit të drejtësisë që ka prekur shoqërinë tonë.Universiteti “Ismail Qemali” do të vijojë të mbështesë nisma të tilla kaq të vyera dhe të dobishme dhe do të jetë nismëtar i çdo bashkëpunimi të mundshëm për të garantuar një edukim të studentëve të tij sa më të plotë dhe shumë-dimensional, theksoi Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi.

Drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në UV, Prof. Asoc. Erjon Hitaj, theksoi se, merita e autorit Florjan Kalaja në këtë vepër, në veçanti, qëndron në trajtimin metodik dhe mjaft origjinal të lirimit me kusht përpos: analizës historike të lindjes dhe zhvillimit të institutit në fjalë, ku lexuesi ka luksin të çmojë dhe aspekte themelore si, regjimin juridik-material, aspektet proceduriale, ekzekutimin e dënimit alternativ, lirimin me kusht të të miturve, juridiksionin rishikues si dhe lirimin me kusht në Marrëveshjen Dypalëshe Shqipëri- Mbretëri e Bashkuar. Për Prof. Asoc, Erjon Hitaj, kjo vepër përmbledh të gjithë tematikën dhe problematikat e lidhura me të, përmes një stili unik të autorit Florjan Kalaja i cili perceptohet lehtësisht nga lexuesi.

Në aktivitet referuan: Kryetari i Dhomës së Avokatisë Vlorë, Z. Durim Bajramaj, Albert Kuliçi, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Z. Sokol Ngresi, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë dhe znj. Drita Agaj, të cilët e cilësuar veprën “Lirimi me kusht”, një pasuri të shtuar për doktrinën e debatit juridik, përmes analizave që autori Florjan Kalaja bën në këtë vepër, në koherencë të plotë me sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Vet autori, Florjan Kalaja, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi organizatorët; Universitetin “IsmailQemali” Vlorë, Departamentin e Drejtësisë në UV dhe Dhomën e Avokatisë Vlorë për realizimit e promovimit të veprës “Lirimi me kusht”, duke pohuar se është emocion i veçantë që ky promovim realizohet në Vlorë, ku ai për gjashtë vite shërbeu si gjyqtar i shkallës së pare. Autori Florjan Kalaja, në pozicionin e gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e konsideron vendimin e Lirimit me kusht si një politikë integruese për të dënuarit. Ai theksoi se e gjithë vepra është konceptuar të trajtojë çështje të së drejtës ligjore, për jurisprudencën dhe praktikën gjyqësore, lidhur me mënyrën si duhet të jetë qasja e të dënuarve për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Vepra “Lirimi me kusht”, është vepra e gjashte e autorit Florjan Kalaja dhe i kushtohet tërësisht drejtësisë penale dhe për çështjet që trajton cilësohet si një vepër mjaft e vlefshme për Drejtësinë Penale, në koherencë të plotë me zhvillimet normative dhe jurisprudenciale kombëtare dhe ndërkombëtare.