njoftime

Workshop me temë “Optimizimi i programeve të studimit të mësuesisë. Sfidat për një edukim cilësor afatgjatë”.

Drejtoria e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve në bashkëpunim me Njesitë Bazë që ofrojnë programe studimi të mësuesisë (Fakulteti i Shkencave Teknike dhe Natyrore,  Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë), me  Drejtorinë e Edukimit për Ciklin e I&II të studimit, Qendra e Zhvillimit Rajonal si dhe Drejtoria e Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore, mbështetur  në Ligjin e Arsimit të Lartë Nr. 80/2015, datë 22.07.2015, Kreu X, Neni 103, në funksion të përmbushjes së standardeve për Sigurimin e Cilësisë për Institucionet e Arsimit të Lartë, miratuar me VKM Nr. 824, datë 24.12.2021, specifikisht: Standardi I.3; Standardi II.4 Kriteri 9;  Standardi VI.4, si dhe në përmbushje të aktiviteteve të parashikuara në Planin e Veprimit për përmbushjen e Rekomandimeve të lëna prej Bordit të Akreditimit për akreditimin periodik institucional dhe atë të programeve të studimit, organizuan më datë 13.03.2023 workshop-in me temë: “Optimizimi i programeve të studimit të mësuesisë. Sfidat për një edukim cilësor afatgjatë”.

Pjesëmarrës në këtë workshop ishin Përgjegjësja e ZVAP Vlorë-Himarë Dr. Irena Toshkallari, drejtues dhe mësues të disa prej institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private në rajonin e Vlorës, Përfaqësues të rrjeteve profesionale në Arsimin para universitar, studentë ALUMNI të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, si dhe përfaqësues të departamenteve që ofrojnë programe studimi me fokus formimin e mësuesve në UV.

Aktiviteti u moderua prej Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillim Institucional Prof.As Enkelejd Mëhilli i cili gjithashtu njohu pjesëmarrësit me qëllimin e workshop-it si dhe me politikat e sigurimit të cilësisë në nivel institucioni gjatë viteve të fundit. Ky aktivitet u përshëndet nga Zv. Rektori Akademik Prof.As Frosina Qyrdeti. Prof. Qyrdeti në fjalën e saj theksoi rëndësinë e përfshirjes së  bashkëpunëtorëve të jashtëm si palët direkt të interesuar për cilësinë e programeve të studimit të ofruara prej UV-së. Paralelisht, cilësoi se angazhimi i tyre ofron një kontroll të realitetit mbi përshtatshmërinë e  programeve të studimit me nevojat e tregut të punës, ofron reagime dhe rekomandime të vazhdueshme duke kontribuar në përmirësimin e vazhduar.

Në fjalën e saj,  Znj. Rezarta Sinanaliaj, Drejtore e Drejtorisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve informoi pjesëmarrësit mbi instrumentat dhe rezultatet respektive që UV përdor për sigurimin e brendshëm të cilësisë në funksion të vlerësimit 360o të programeve të studimit.

Prof.As. Hajdar Kicaj, Dekan i Fakultetit te Shkencave Teknike dhe Natyrore ndau me pjesëmarrësit sfidat e programeve të formimit të mësuesve për një edukim më cilësor. Dekania e Fakuktetit te Shkencave Humane dhe Drejtesisë, Prof.As Armela Panajoti në prezantimin e saj vendosi theksin në udhëzimin e ri për programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike si dhe për zbatimin e tij.

Përgjegjësja e ZVAP, Dr. Irena Toshkallari foli më gjerë për integrimin e konceptit të gjithë përfshirjes në kurrikulat e programeve të mësuesisë. Në përputhje me tematikën e takimit, Dr. Eva Çipi njohu pjesëmarrësit me programin e Qendrës Ndërdisiplinore të Zhvillimit Rajonal në UV, lidhur me formimin e vazhduar të mësuesve si dhe për rolin e universitetit në formimin e vazhduar të mësuesve. Në cilësinë e përfitueses por dhe të trajneres Znj. Almida Çerçizaj ndau eksperiencën e saj me të pranishimit duke vlerësuar punën e qendrës si dhe të moduleve të ofruara për mësuesit.

Roli i ALUMNI-it në Sigurimin e Cilësisë të programeve të studimit u prezantua prej Znj. Alberta Breshanaj  Drejtore e Drejtorisë së Edukimit Cikli I & II.

Në seksionin e dedikuar për diskutime dhe rekomandime të pranishmit krahas vlerësimit dhe nevojës  për shpeshtimin e organizimit të aktiviteteve të tilla dhanë disa  rekomandime për përmirësimin e programeve të studimit duke u bazuar tek nevojat aktuale për përgatitjen adekuate të mësuesve.

Rekomandimet e dala nga ky workshop janë si më poshtë vijon:

 

  • Përfshirja në programet e mësuesisë module specifike që kanë si objektiv fëmijët me aftësi ndryshe. Këto module do u japin mundësinë mësuesve të përgjithshëm të kenë njohuri bazë në menaxhimin dhe trajtimin e këtyre fëmijëve;
  • Përfshirje më e lartë e moduleve të cilat fokusohen në aftësitë psiko-pedagogjike të mësuesve të ardhshëm;
  • Në kurrikulat e këtyre programeve të përfshihen lëndë me zgjedhje me fokus “Etikën dhe Komunikimin”. Kjo do të rrisi aftësitë komunikuese dhe etike të mësuesve të ardhshëm për komunikimin e tyre si me nxënësit por edhe me prindërit e tyre;
  • Në kurrikulat e këtyre programeve të përfshihen lendë me zgjedhje me fokus “Artin”. Këto lendë kur implementohen në shkolla u japin kënaqësi nxënësve si dhe ndikojnë pozitivisht tek ata në jetën e tyre sociale e shoqërore;
  • Rritja e orëve të praktikës profesionale si dhe angazhim më i lartë i studentëve gjatë zbatimit të saj. Kjo do u japi mundësinë mësuesve të ardhshëm të fitojnë njohuri dhe aftësi më të mira;
  • Organizimi i më shumë aktiviteteve të përbashkëta midis Universitetit dhe mësuesve të shkollave duke diskutuar raste të ndryshme.