Ditën e premte, Datë 17. 03. 2023, në Bibliotekën “Nermin Vlora, Falaschi”, të Universitetit “Ismail Qemali’ Vlorë, u zhvillua takimi akademik e letrar me përkthyesin Prof. Dr. Nonda Varfi. Takimi u organizua në kuadër të Pranverës Frankofone, si një bashkëpunim i Qendrës së Gjuhëve të Huaja të Universitetit Politeknik të Tiranës me Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.
Në këtë aktivitet, ku u trajtuan çështje dhe problematika të përkthimit të Letërsisë Magrebine Frankofone në Shqipëri, si dhe vlerësime për autorët e kësaj letërsie, vlerat letrare dhe vlerat socio-kulturore që ato mbartin dhe transmetojnë, morën pjesë pedagogë të Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, mësuesë të gjuhës frënge të Vlorës, lexues dhe dashamirës të librit.
Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roloand Zisi falenderoi Prof. Dr Nonda Varfri dhe përfaqësuesit e Qendrës së Gjuhëve të Huaja të Universitetit Politeknik të Tiranës: Dr. Edita Stojani dhe Prof. Raul Lilo, që ishin të pranishëm në UV, në një bashkëbisedim mjaft të vlefshëm për Letërsinë Magrebine Frankofone në Shqipëri, duke theksuar se, bashkëbiseime të tilla më një personalitet të shquar si Prof. Dr. Nonda Varfi kanë mjaft interes për pedagogët dhe studentët e UV-së, veçanërisht për Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë.
Rektori i UV-së, Prof Dr. Roland Zisi e cilësoi Prof. Dr. Nonda Varfi si një personalitet me kontribute të jashtëzakonshme si: autor dhe bashkëautor i disa teksteve universitare, të botuara brenda dhe jashtë vendit; autori i artikujve në lëmin e gjuhësisë dhe letërsisë si edhe të kumtesave të mbajtura në seminare dhe konferencatë ndryshme; bashkëautor i disa fjalorëve specifikë frengjisht-shqip; hartues programesh universitare dhe pasuniversitare si edhe udhëheqës doktoratash, diplomash, temash kursi. Për sa shumë kontribute ka dhënë në fushën e letrave, është nder dhe kënaqësi zhvillimi i këtij aktiviteti me protagonist Prof. Dr. Nonda Varfi, theksoi Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi.
Dr. Edita Stojani, (Qendra e Gjuhëve të Huaja, UPT) dhe Prof. Dr. Raul Lilo në fjalën e tyre theksuan se, është kënaqësi të jesh mes kolegëve pedagogë dhe studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” Të Vlorës, në këtë bashkëbisedim të vlefshëm për të gjithë akademikët dhe studentët dhe për këdo që është njohur me krijimtarinë e Prof. Dr. Nonda Varfi. Ata nënvizuan më pas, vlerat e shqipërimit të Prof. Dr. Nonda Varfit duke e ilustruar me vepra konkrete nga letërsia magrebine frankofone.
Zv. Rektoria Akademike, Prof. Ass. Frosina Londo, në fjalën e saj përshëndetëse u ndal në faktin se, Prof. Dr. Nonda Varfi, është padyshim një nga përfaqësuesit më dinjitozë e më cilësor të historisë së shqipërimit të veprave dhe kryeveprave të literaturës dhe kulturës botërore. Me një përvojë të madhe në fushën e shqipërimit, falë pjekurisë profesionale universitare, dijeve linguistike dhe dashurisë për gjuhën shqipe, Prof. Dr. Nonda Varfi, gjithmonë ka përzgjedhur dhe i ka dhuruar lexuesit tonë, autorë të shquar dhe të pavdekshëm të letërsisë botërore, kryevepra cilësore me vlera universale, vepra bashkëkohore të vlerësuara nga lexuesit dhe kritika letrare botërore, të nderuara me çmime prestigjioze dhe me autoritet në tregun global.
Prof. Dr. Nonda Varfit, përkthyes i shumë autorëve magrebinë frankofonë në gjuhën shqipe, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, për mirëpritjen në UV, në një bashkëbisedim mjaft të vlefshëm me pedagogë dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në këtë aktivitet kushtuar përkthimeve të tij nga frengjishtja në shqip dhe anasjelltas, me një gjeografi dhe tipologji të gjerë (Europë, Ballkan, Afrikë, Amerikë Latine; letërsi frënge, frankofone dhe jo frankofone; romane, novela, tregime, letërsi për fëmijë, poezi; autorë si Kamy, Sagan, Aymé, Mérimé, Kazanzaqi, Coelho, Bergman, Khadra, Maggiolo, Ben Jelloun, Crisinel, Dritëro, Kadare, Xhevahir Spahiu, etj. Prof. Dr. Nonda Varfi shprehu konsideratën për këtë takim mjaft të vlefshëm ndërsa theksoi se, gjatë dekadës së fundit vihet re tek ai një interesim i veçantë për letërsinë e shkrimtarëve frankofon të zonës magrebiane dhe takime të tilla të mundësojnë njohje më të thellë me lexuesin tënd, si një mesazh i qartë se vepra e shkruar apo e përkthyer ka mbërritur si duhet tek lexuesi.
Në referatin e tij, Prof. Dr. Roland Zisi iu referua përkthyesit shqiptar Nonda Varfi në shqipërimin e shumë autorëve si Yasmina Khadra, Tahar Ben Jelloun, Bualem Sansal, Kamel Davud, Salim Bachi dhe Emilienne Malfatto, të cilët nëpërmjet një stili origjinal, të veçantë dhe tepër ekspresiv kanë eksploruar në veprat e tyre historinë e shkuar por sidomos atë bashkëkohore të shoqërive nga vijnë, duke u kujdesur të bëjnë thirrje të karakterit filozofik, për një kuptim të ri të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit, për një dialog të ri mes popujve dhe mes kulturave. Falë respektimit të parimeve kulturore të përkthimit, shqipërimet e Prof. Dr. Nonda Varfi kanë vlerën e aktit të përfaqësimit kuptimplotë të origjinalit në gjuhën dhe kulturën shqipe. Sipas Prof. Roland Zisit, Nonda Varfi bën pjesë në grupin e përkthyesve që nderojnë njëherazi edhe origjinalin edhe gjuhën shqipe.