njoftime

Ambasadorja Speciale e Departamentit të Shtetit Amerikan për Çështjet Globale Rinore, Znj. Abby Finkenauer dhe Zëvendësshefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, e Ambasadës së SHBA, në Shqipëri, Znj. Amanda Roberson, vizitojnë Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Në datë 03. 03. 2023, me ftesë të Rektorit, Prof. Dr. Roland Zisi, Ambasadorja Speciale e Departamentit të Shtetit Amerikan për Çështjet Globale Rinore, Znj. Abby Finkenauer, e shoqëruar nga Zëvendësshefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA në Shqipëri, Znj. Amanda Roberson, zhvilloi një vizitë pune në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe mori pjesë në veprimtarinë akademike “Open Day”, me temë: “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm,”, një organizim i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Institutit Shqiptar të Medias, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Auditori përbëhej nga studentë dhe pedagogë të programeve të studimit të mësuesisë në UV.

Rektori Prof. Dr. Roland Zisi, mirëpriti në mjediset e bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Znj. Abby Finkenauer, Ambasadore speciale e Departamentit të Shtetit për Çështjet Rinore Globale, Znj. Amanda Roberson, Zëvendëshefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA në Republikëne Shqipërisë dhe Përfaqësuesit e Institutit Shqiptar të Medias, Znj. Edlira Gjoni, trajnere për Edukimin për Median dhe Informacionin, trainuesin dhe publicistin e njohur Z. Lutfi Dervishi dhe specialisten e programit Fulbright, Znj. Carolyn Jones.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, duke e falenderuar Znj. Abby Finkenauer dhe ekipin e saj për pjesëmarrjen në këtë aktivitet akademik dhe mundësinë e zbatimin të këtij programi me shumë vlerë për Arsimin Shqiptar dhe të rinjtë, theksoi se zhvillimi i mendimit kritik mbi informimin dhe keqinformimin mediatik, vjen si një domosdoshmëri bashkëkohore që synon formimin e një opinioni të shëndoshë dhe real, në transmetimin dhe perceptimin e informacionit mediatik të vërtetë, progresist dhe cilësor

Znj. Amanda Roberson, Zëvendëshefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Republikëne Shqipërisë, shprehu kënaqësinë për vizitën e saj në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe për pjesëmarrjen në këtë aktivitet që çeli siparin e një vargu veprimtarish që do të zhvillohen edhe në disa IAL të tjera shqiptare, me fokus edukimin e të rinjve me shprehitë e të kuptuarit dhe të menduarit kritik të informacionit mediatik.

Më pas, studentët dhe pedagogët e fushës së mësuesië në UV, ndoqën me shumë interes, ligjëratën e Znj. Abby Finkenauer, e cila duke iu përgjigur pyetjeve të auditorit, u përqëndrua kryesisht tek sfidat e edukimit të të rinjve në Shqipëri, Amerikë e kudo në botë, tek roli i medias dhe lajmeve që transmetohen çdo ditë për mbarë opinioni publik, duke nënvizuar faktin se të gjitha shoqëritë, kudo në botë,  po ndjejnë domosdoshmërinë e vërtetësisë në informacionet e transmetuara tek publiku. Znj. Finkenauer u fokuasua gjithashtu edhe në prioritetet e politikës së jashtme të Departamentit të Shtetit për Rininë si dhe në nismat e ndërmarra kudo në botë, për një edukim cilësor mediatik, nisma që duhet të promovojnë opinionin e shëndoshë të të rinjve, opinion që duhet të mbështetet dhe realizohet, përmes politikave dhe programeve globale edukuese.

Në pjesën e dytë të veprimtarisë, përfaqësues të Institutit Shqiptar të Medias, zhvilluan, me studentë dhe pedagogë të fushës së mësuesisë, një seminar rreth çështjeve të Edukimit Mediatik dhe Informacionit, në kontekstin e modulit të shkrim-leximit mediatik i cili parashikohet të jetë pjesë e kurrikulës universitare në vitet në vijim, jo vetëm në   Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, por dhe në disa IAL të tjera shqiptare.