Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, është renditur në vendin e katërt, mes 13 IAL publike shqiptare dhe 45 IAL publike dhe private, së bashku, pas Universitetit të Tiranës, Universitetit Bujqësor, Tiranë dhe Universitetit “Epoka”. Ranking Web Universities, e ka njoftuar këtë informacion, në edicionin e 20 të tij, mbështetur në treguesit e marrë nga Web-et e 31. 000 universiteteve, të mbi 200 vendeve, në mbarë botën.
UV e vlerëson këtë klasifikim si një tregues tepër pozitiv të politikave dhe qasjeve strategjike që zbaton si dhe një arritje të re, të studentëve dhe personelit akademik, në funksion të misionit të tyre.
Gjithashtu, UV e shikon këtë renditje, si një sfidë për t’u njohur dhe ballafaquar me përvojat më të mira botërore, si dhe një mundësi për të korrigjuar praktika dhe perceptime negative, në këtë fushë të veprimtarisë institucionale.
UV konstaton me modesti dhe krenari njëkohësisht, se informacionet e emetuara përmes Web-it të tij, të cilat përfaqësojnë punën e përditshme të stafit akademik, studentëve dhe drejtuesve të të gjitha niveleve, konsiderohen nga publiku i gjerë, si tregues të besueshëm të performancës tërësore institucionale.
Në kontekstin e zbatimit të Planit Strategjik, në të cilin, Smart University është përcaktuar, si një nga tri linjat strategjike kryesore që UV implementon, renditja e edicionit të 20, të Ranking Web Universities, i mbështet dhe motivon akoma dhe më shumë personelin akademik, strukturat dhe burimet njerëzore, që ta shohin Web-in e institucionit si një prej mjeteve dhe kanaleve kryesore të promovimit të rezultateve, në të gjitha veprimtaritë universitare.
Për të njëzetin vit RANKING WEB UNIVERSITIES, duke funksionuar si një projekt kërkimor, përmes metodologjive shkencore korrekte që zbaton, ka arritur gjithmonë të bëjë një renditje të besueshme, objektive, transparente, shumëdimensionale, të përditësuar dhe të dobishme në funksion të perceptimit real të performancave të institucioneve të arsimit të lartë në gjithë botën. Laboratori Cybermetrics ka zhvilluar studime sasiore në Web-et universitare që nga mesi i viteve 1990. Treguesit e parë u prezantua gjatë konferencës EASST/4S, (1996) dhe mbledhja e të dhënave nga faqet e interneteve të universiteteve evropiane filloi në 1999, mbështetur nga projekti EICSTES, i financuar nga BE.