njoftime

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi,  priti në zyrën e tij përfaqësues të ALBCONTROL SHA

Ditën e mërkurë, datë 21. 12. 2022, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi,  priti në zyrën e tij përfaqësues të ALBCONTROL SHA:  Dritan Isakun, drejtor i  Divizionit Operacional, Majlinda Despoti, drejtore e Divizionit Administrativ dhe Ervin Celkupa, drejtor i  Drejtorise Safety.

 

Takimi erdhi në kuadër të hapjes  së procesit të punësimit nga ALBCONTROL SHA të studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

Kjo kompani ka nisur procesin e konkurimit të të rejave dhe të rinjve të cilët do të kenë mundësi për tu punësuar në pozicionet: 18 Kontrollorë për Kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) dhe 12 Kontrollorë për Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).

Rektori i UV-së, Roland Zisi, duke falenderuar përfaqësuesit e  ALBCONTROL SHA për interesimin e treguar për punësimin e studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në pozicionet e ofruara theksoi faktin se, ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës si një ndër projektet më të  rëndësishme, do të sjellë zhvillim ekonomik jo vetëm për banorët e jugut, por për gjithë Shqipërinë. Ai e cilësoi nisjen e përzgjedhjes të të rinjëve nga UV-ja, si një mundësi shumë e mirë për punësimin e studentëve pas përfundimit të ciklit Bachelor. Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi i siguroi përfaqësuesit e  ALBCONTROL SHA se, të gjithë studentët e UV-së do të marrin informacionin e duhur për aplikimet që kjo kompani ka nisur për punësimin e tyre sipas pozicioneve përkatëse, përmes takimit që do të mundësohet në Universitetin “Ismail  Qemali” Vlorë, në janar të vitit 2023, midis përfaqësuesve të ALBCONTROL SHA dhe studentëve, për t’i orientuar në mënyrë të detajuar për këtë mundësi shumë të mirë punësimi.

Dritan Isaku, drejtori i  Divizionit Operacional ALBCONTROL SHA e falenderoi Rektorin e UV-së për mikpritjen dhe gadishmërinë e treguar ndaj nismës së punësimit të të rejave dhe të rinjve, duke theksuar se, të drejtën për të aplikuar në këtë proces punësimi që zhvillohet për herë të parë e kanë të gjithë studentet dhe studentët që kanë përfunduar studimet Bachelor, zotërojnë gjuhën angleze dhe i përkasin moshës nën 25 vjeç. Afati përfundimtar i aplikimit është data 31. 01. 2023. Ai siguroi se, përzjedhja e kandidatëve do të kryhet me testin FEAST të administruar nga EUROCONTROL, duke e cilësuar si një proces mjaft korrekt, përmes së cilit do të përzgjidhen më të mirët. Pas përgjedhjes së fituesve do të bëhet trajnimi i tyre 6-8 muaj jashtë vendit dhe më pas do të trajnohen për këto pozicione pune në Shqipëri nga specialistët përkatës të Aviacionit Civil. Të gjitha shpenzimet e procesit të trajnimit do të mbulohen nga ALBCONTROL SHA.