njoftime

Rektori Prof. Dr Roland Zisi, falenderon studentët e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, fitues të Konkursit Kombëtar “Moot Court Albania 202

Ditën e enjte, datë 15. 12. 2022, Rektori Prof. Dr. Roland Zisi, priti në zyrën e tij, studentët e programeve të sudimit të Drejtësisë të UV-së, Indrit Lita, Klaudia Imeraj, Eugerta Gropa, Klaudia Brakaj, Lidia Agalliu dhe Bianka Kananaj, të cilët përfaqësuan Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë dhe dolën fitues të konkursit kombëtar: “Moot Court Albania 2022”.

Konkursi kombëtar “Moot Court Albania”  zhvillohet çdo vit nga Qendra Europiane dhe Civil Right Defenders, në formën e gjyqit simulues me pjesëmarrjen e studentëve të Drejtësisë të Universiteteve publike dhe private të Shqipërisë. Kjo skuadër studentësh të talentuar të programeve të studimit të Drejtësisë në UV, u drejtua dhe u udhëhoq nga pedagogia e Departamentit të Drejtësisë, Dr. Jonida Mehmetaj.

Qëllimi i Konkursit “Moot Court Albania 2022″ është përfshirja e studentëve për të vënë në praktikë dhe thelluar më tej njohuritë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht të atyre që garantohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) si dhe për njohjen më të mirë të jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut. Skuadrat përfaqësuese të IAL publike dhe private të vendit tonë, në këtë konkurs kaluan në tri faza konkurimi, në të cilat studentët e Departamentit të Drejtësisë të UV, u vlerësuan me pikët maksimale. Në finalen e këtij konkursi skuadra e studentëve të UV, fitoi kundrejt skuadrës së Universitetit “New York University”. Është hera e katërt që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, shpallet fitues i konkursit kombëtar “Moot Court Albania 2022”.

Rektori Prof. Dr. Roland Zisi, përgëzoi dhe falenderoi studentët fitues të këtij konkursi si dhe udhëheqësen e tyre, pedagogen Dr. Jonida Mehmetaj dhe më pas u shprehu atyre konsideratat më të larta dhe mirënjohjen e tij, për përkushtimin serioz dhe përfaqësimin dijnitoz që i kanë bërë Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në këtë eveniment profesional dhe akdemik elitar. Më tej ai theksoi se kjo përvojë e shkëlqyer e tyre dëshmon jo vetëm për aftësitë e tyre intelektuale individuale por dhe për cilësinë e edukimit juridik, përmes një procesi mësimor bashkëkohor dhe modern, që zhvillohet në auditoret e UV, të cilat krijojnë sinergjinë e duhur për nisjen e një karriere të suksesshshme.

Ai i cilësoi fituesit e “Moot Court Albania 2022”, si krenaria dhe nderi i UV, si modeli më i mirë që vjen si rezultat i punës studimore dhe vullnetit krijues, duke i garantuar për mbështetjen e tij personale por edhe të strukturave akademike dhe administrative të institucionit që drejton me qëllim motivimin dhe promovimin e studentëve ekselentë, të cilët me modelin që rrezatojnë na bëjnë të ndihemi të gjithëve krenarë.

Nga ana e tyre, studentët e falenderuan Rektorin për ftesën dhe pritjen në zyrën e tij, për mbështetjen e tij personale dhe institucionale, duke nënvizuar me krenari faktin se, kjo fitore nuk u përket vetëm atyre personalisht dhe si ekip por i përket dhe i dedikohet Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, kësaj familjeje të madhe ku në mesin e së cilës gjetën dhe gjejnë vazhdimisht, motivimin e duhur për t’u përfaqësuar denjësisht në konkurime serioze dhe elitare siç ishte Konkursi Kombëtar “Moot Court Albania 2022”.

Me fitoren e konkursit kombëtar “Moot Court Albania 2022″  Universiteti ” Ismail Qemali” Vlorë, fitoi të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në konkursin në nivel rajonal, që do të zhvillohet në Mal të Zi në vitin 2023.