U promovua këtë të mërkurë, në mjediset e sallës “Rilindja”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, libri “THEMELUESI, LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT”, me autor Evarist Beqiri.
Promovimi i kësaj vepre me vlera të veçanta historike, vjen në kuadër të përkujtimit dhe nderimit të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimit të shtetit shqiptar, si një bashkëpunim midis Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, Qarku Vlorë.
Ishin të pranishëm në ceremoninë e promovimit studiues, qytetarë, deputetë, autoritete, veteranë, studentë dhe pedagogë të UV-së.
Ashtu siç e kërkon tradita, në nisje të ceremonisë së promovimit u respektua dhe u nderua Himni i Flamurit.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se “është kënaqësi shumë e madhe që ta shohësh Aula Manjën e Universitetit të Vlorës të mbushur me njerëz të moshave, profesioneve dhe interesave intelektuale të ndryshme, në vigjilje të 110 vjetorit të ngritjes së Flamurit, Shpalljes së Pavarësisë dhe shtetit të parë shqiptar. Kjo është një mrekulli humane dhe intelektuale. Këtë mrekulli mund ta bëjë të mundur vetëm shkëlqesia e tij, Ati themelues i shtetit shqiptar, Lidershipi më i madh dhe i më i shquar ndër udhëheqësit shqiptar, burri më i ndritur dhe më i mençur i kombit, tonë Ismail Qemal Vlora, emrin e të cilit e mban Universiteti i Vlorës.
Libri “THEMELUESI, LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT”, është një kontribut shkencor i vyer, novator, origjinal. I shkruar me shumë dashuri nga studiuesi dhe autori Evarist Beqiri, për Themeluesin, nën aplikimin e një metodologjie kërkimore efikase që fokusohet në evidentimin e aftësive, karakteristikave, vlerave dhe vyrtyteve që përfaqëson një burrë i shquar i lindur dhe i projektuar për Lidership kombëtar e më gjerë, siç është rasti i Ismail Qemal Vlorës”, theksoi Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi.
Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, Qarku Vlorë, Z. Arben Breshani, e nisi fjalën e tij përshëndetëse duke falenderuar Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe në veçanti Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, për organizimin e të tilla promovimeve mjaft të vlefshme për shoqërinë tonë, pikërisht në mjediset e institucionit që mban dhe emrin e themeluesit të shtetit shqiptar.
Breshani pohoi se nuk mund të mungonte mbështetja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Qarku Vlorë, në promovimin e kësaj vepër historike që vjen si një thesar i çmuar për të gjithë ne, për ta njohur më tej dhe vlerësuar në përjetësi figurën e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar.
Prof. Asoc. Monika Hasani, në kumtesën e saj theksoi se, kjo vepër historike na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të Ismail Qemalit si Prijës i ardhshëm i Kombit, duke analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.
Prof. Dr. Edlira Çerkezi, në kumtesën e saj pohoi se, autori Evarist Beqiri, e trajton figurën e Ismail Qemalit si Lider. Falë një pune të mundimshme autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare, duke na ofruar një vepër historike e cila do të përcillet ndër breza, si një tjetër dëshmi e fakteve historike mbi jetën e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit.
Drejtorja e entit “Mediaprint”, Anila Bisha, pohoi se, autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit.
Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës “Nermin Falaschi – Vlora”, UV, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se, studiuesi dhe autori, Evarist Beqiri, për shkrimin e kësaj vepre të jashtëzakonshme historike ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë, duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Është detyra jonë që ta vlerësojmë dhe ta arkivojmë siç duhet këtë thesar historik, për t’ua servirur dhe brezave të rinj, në mënyrë që të përjetësohet edhe tek brezat e ardhshëm figura e jashtëzakonshme e lidershipit të Ismail Qemalit, theksoi Abazaj.
Aktoi Ilirian Ali, përmes interpretimit të fragmenteve nga vepra “THEMELUESI, LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT”, e vendosi theksin tek rëndësia që ka promovimi i veprave të tilla, me vlera të jashtëzakonshme historike, përmes së cilave përjetësohet figura e Ismail Qemalit.
Autori Evarist Beqiri falenderoi Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Qarku Vlorë, për organizimin e promovimit të veprës së tij, duke theksuar se është kënaqësi e veçantë të ndodhesh në institucionin që mban emrin e themeluesit të shtetit shqiptar.
Autori pohoi se “ideja për shkrimin e kësaj vepre lindi nisur nga boshllëku që ekziston në studimet për lidershipin në gjuhën shqipe dhe si një domosdoshmëri për të studiuar figurën e Ismail Qemal Vlorës në aspektin e lidershipit. Figura e Ismail Qemal Vlorës është pjesë ADN-së së identitetit tonë kombëtar, prandaj është e domosdoshme që figura e tij të njihet në të gjitha përmasat e saj. Libri publikohet qëllimisht tani si një ogur i mirë në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ne si shoqëri vuajmë për modele të mira dhe e kemi të nevojshme për t’i edukuar të rinjtë me modele dhe shembuj të këtij kalibri”, theksoi autori Evarist Beqiri..
Në fund të aktivitetit grupi Folklorik “Bilbili” i përshëndeti të pranishmit me këngën kushtuar themeluesit të shtetit shqiptar, lidershipit kombëtar, Ismail Qemalit.