njoftime

Takim bashkëbisedues mes Përfaqësuesve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në Parlamentin Shqiptar

U zhvillua këtë të premte, datë 04. 11. 2022, në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, një takim bashkëbisedues mes Përfaqësuesve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në Parlamentin Shqiptar, me Zv. Rektoren Akademike të UV-së, Prof. Asoc, Frosina Londo dhe me dekanët: Prof. Dr. Albert Qarri, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Asoc. Armela Panajoti, Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë , Prof. Asoc. Aurela Saliaj, Dekania e Fakultetit të Shëndetit dhe Prof. Asoc. Hajdar Kiçaj, Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Vizita e Përfaqësuesve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, ishte në kuadër të takimeve monitoruese dhe bashkëbiseduese që Përfaqësuesit e Komisionit do të zhvillojnë për dy ditë më radhë në qytetin e Vlorës, me institucione të ndryshme që operojnë në Vlorë.

Diskutimi midis përfaqësuesve të komisionit parlamentar me përfaqësues të stafit akademik të UV-së, u fokusua tek çështja e tkurjes së degëve të mësuesisë dhe tek probleme të tjera të arsimit.

Zv. Rektorja Akademike, Prof. Asoc. Frosina Londo, duke i falenderuar Përfaqësuesit e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për vizitën e tyre në UV, pohoi se, bashkëbisedime të tilla me stafet akademike janë shumë të vlefshme, pasi ndihmojnë në gjetjen e mekanizmave të përbashkëta për zbehjen e tkurjes së numrit të studentëve në degët e mësuesisë, fenomen ky i cili ka prekur ndjeshëm të gjitha universitetet në rang vendi.

Flutura Açka, kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, nënvizoi faktin se qëllimi i këtij bashkëbisedimi është pikërisht listimi i problematikave me të cilat përballen universitetet, e në rastin konkret, Universiteti “Ismail Qemali’Vlorë, në mënyrë që të adresohen tek Ministria e Arsimit dhe Sportit për zgjidhje.

Znj. Açka theksoi se, fenomeni i tkurjes së numrit të studentëve në degët e mësuesisë është fenomën i cili konstatohet në të gjitha universitetet e vendit, e kjo lidhet kryesisht me vet tregun e punës, ndërsa theksoi se, po kërkohet vazhdimisht që të implementohen mekanizmat e duhur për mirëfunksionimin e universiteteve në bazë të ofertave që universitetet ofrojnë, oferta të cilat duhet të jenë në përputhje me tregun e punës.

Dekanët e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, duke bërë një panoramë konkrete të problematikave me të cilat përballen Fakultetet që ata drejtojnë theksuan faktin se, të gjithë aktorët duhet të koordinohen për hartimin, zbatimin dhe respektimin e mekanizmave të duhur për të nxitur sërish, si dikur, interesin e të rinjëve për tu regjistruar në degët e mësuesisë, pasi në të kundërt, në të ardhmen, nëse vijohet me këto ritme, do të kemi mungesa të theksuara të mësuesve në rang vendi.

Përfaqësuesët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik theksuan se pjesë e axhendës së punës së këtij Komisioni do të jenë edhe të tjera takime në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, ku do të jenë të pranishëm edhe studentë të UV-së, në mënyrë që të dëgjohet edhe zëri i tyre për çështje që lidhen me sistemin e lartë arsimor.