njoftime

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Spitalit Rajonal Memorial, Fier.

U nënshkrua këtë të enjte, datë 22 shtator, në mjediset e Spitalit Rajonal Memorial, Fier, marrëveshja e bashkëpunimit, për një kohëzgjatje 5 (pesë) vjeçare, midis universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Spitalit Rajonal Memorial, Fier.

Në kuadër të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, shoqëruar nga Administratori i UV-së, Saimir Xhelaj, Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillim Institucional, Prof. AS. Enkelejd Mëhillaj, Dekania e Fakultetit të Shëndetit Publik, Prof. As. Aurela Saliaj, shefja e Departamentit të Infermierisë, Prof. Msc. Majlinda Zahaj dhe nga pedagogia Majlinda Rakipaj, ishin këtë të enjte në mjediset e Spitalit Rajonal Memorial, Fier.

Fillimisht përfaqësuesit e UV-së u pritën në zyrën e saj nga drejtoresha e Memorialit, Znj. Rudina Degjoni, në një takim ku ishin të pranishëm përfaqësuesë nga stafi shëndetësor: Nëndrejtori i Përgjithshëm (Mjekësor), Doc. Dr. Kürşat Dal, Nëndrejtori i Përgjithshëm (Ekonomik), Z. Bekir Ünlü, Kryeinfermieri i Përgjithshëm Z. Mehmet Gürkan Bektaş dhe Kryeinfermieri i Përgjithshëm, Igli Dano.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, duke e falenderuar drejtoreshën e spitalit dhe stafin mjekësor për mikpritjen, gjatë prezantimit të institucionit të UV-së, theksoi faksin se një ndër objektivat kryesore të institucionit që drejton, UV-së, është bashkëpunimi me institucione kaq serioze siç është Spitali Rajonal Memorial.

Drejtoresha e Spitalit Memorial, Znj. Rudina Degjoni falenderoi Rektorin Zisi për vizitën në mjediset e spitalit dhe pohoi se, gadishmëria e të dyja palëve do të ketë si rezultat konsolidimin e bashkëpunimeve të frytshme mes universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Spitalit Rajonal Memorial, Fier.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi dhe nga Drejtoresha e Spitalit Memorial, Fier, znj.Rudina Degjoni.

Bashkëpunimi i ndërsjelltë ndërmjet UV-së dhe dhe spitalit Memorial, Fier, përfshin:

Vënien në dispozicion të personelit mjekësor dhe infermieror të spitalit për mësimdhënie në modulet e programeve mësimore të Fakultetit të Shëndetit në Universitetin ‘Ismail Qemali’ Vlorë (më tej referuar si FSH).

Angazhimin e studentëve të FSH në procedurat infermierore të institucionit (nga marrja e anamnezës deri tek ndjekja e terapisë).

Bashkëpunimin e pedagogëve të FSH, personelit mjekësor dhe infermieror të Spitalit, si dhe studentëve për realizimin e detyrave të kursit, projekteve klinike dhe kërkimit shkencor mjekësor.

Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta për Edukimin në Vazhdimësi (konferenca, simpoziume, trajnime, workshop-e).

Sigurimin e ambienteve të përshtatshme brenda territorit të institucionit për realizimin e seancave mësimore të praktikave profesionale.

Realizimin e praktikave klinike (mësimore dhe profesionale) të programeve të fushës së shëndetit, të ofruara nga FSH.

Ky bashkëpunim përfshin realizimin e programeve mësimore në tre cikle studimi:

· Cikli i parë i studimeve të nivelit Bachelor

· Cikli i dytë i studimeve të nivelit Master (profesional dhe shkencor)

· Cikli i tretë i studimeve të Doktoratës

Palët nënshkruese do të bashkëpunojnë në këto fusha:

· Leksionet dhe seminaret në module mësimore të caktuara.

· Praktikat mësimore

· Praktikat profesionale

· Projektet kërkimore klinike

· Detyrat e kursit mbi bazën e ekzaminimit të rasteve klinike.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi vjen në kuadër të interesit për zhvillimin e aktiviteteve me karakter arsimor, referuar shërbimeve që ofron ky spital dhe nga dëshira e mirë e të dy palëve, universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Spitalit Rajonal Memorial, Fier, për të konsoliduar më tëj bashkëpunimin.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi dhe stafi i UV-së, vizituan ambientet e Spitalit Rajonal Memorial, Fier, një prej institucioneve shëndetësore me standartet më cilësore në vend.