Aktivitete njoftime

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, nderon me titullin e nderit “Dr. Honoris Causa”, Prof. F Javier Vidal Garcia.

Ditën e martë, datë 06. 09. 2022, në sallën RILINDJA të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u organizua ceremonia e nderimit të Prof. F Javier Vidal Garcia, me titullin Doctor Honoris Causa. Merrnin pjesë në këtë aktivitet anëtarët e SA, studentë, pedagog, autoritete dhe të ftuar dhe të ftuar të tjerë.
 
Rektor Zisi pohoi se bashkëpunimi akademik me Prof. F Javier Vidal Garcia nisi prej vitit 2014, duke theksuar faktin se përgjatë këtyre viteve të bashkëpunimit profesorët dhe strukturat e UV e kanë vlerësuar vazhdimisht humanizmin, thjeshtësinë, dashamirësinë, altruizmin dhe korrektësinë etiko-profesionale të Prof. F Javier Vidal Garcia.
 
Rektori Zisi u ndal konkretisht te kontributi dhe mbështetja e shquar dhe e veçantë që Prof. F Javier Vidal Garcia ka dhënë në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, veçanërisht në vendosjen e urave të bashkëpunimit real në fushën e aplikimit dhe zbatimit prej 10 viteve të projekteve strukturore me ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar.
 
Rektori i UV-së, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen për kontributin e Prof. F Javier Vidal Garcia në shkëmbimet ndërinstitucionale, të përvojave, të pedagogëve dhe studentëve me universitete spanjolle dhe europiane, duke vlerësuar dhe çmuar vlerat intelektuale individuale dhe institucionale të vëna në shërbim të mbështetjes së vazhdueshme për kualifikimin shkencor të stafit akademik të UV-së.
 
Për të gjitha këto vlera njerëzore dhe profesionale që reflekton Prof. F Javier Vidal Garcia, nga sot e në vijim do të jetë pjesë e këtij institucioni dhe pse jo një përfaqësues dinjitoz i tij, për të cilën ne jemi mjaft mirënjohës, theksoi në fund të fjalës së tij përshëndetëse Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi.
 
Nderimi i një personaliteti si Prof. F Javier Vidal Garcia vjen në kuadër të traditës dhe filozofisë së universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, i cili vlerëson, nderon dhe respekton figura të shquara, brenda dhe jashtë vendit, intelektualë europianë dhe botërorë, autoritete të spikatura të arsimit, shkencës, kulturës, politikës, diplomacisë, biznesit, të cilët me bujari japin kontribut real në zhvillimin, modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.