njoftime

Nënshkrim i marrëveshjes së bashkëpunimit midis UV me Universitetin “Aldo Moro” dhe QNSAAM të Barit, Itali.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Aldo Moro” dhe Qendrën Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare të Barit, Itali.

Në fokus të marrëveshjes do të jetë nxitja e bashkëpunimit universitet-industri, dhe pjesëmarrja në projekte, konferenca dhe aktivitete të përbashkëta kërkimore, me qëllim fuqizimin e “Misionit të Tretë” të universiteteve shqiptare.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes: Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Zv. Ministrja, Albana Tole, Ambasadori Italin në Shqipëri Fabrizio Bucci, përfaqësues të delegacionit italian, akademikë të Universitetit të Barit.

Ceremonia u zhvillua pasditen e së hënës, në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Zv.Rektorja e Universitetit të Barit dhe Rektorët e universiteteve: “Ismail Qemali”,Vlorë, “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Universiteti Bujqësor Tiranë, Universiteti“Fan Noli”, Korçë.

Në fjalën përshëndetëse, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, theksoi se, kjo marrëveshje do të nxisë transferimin e njohurive përtej mjediseve universitare, për të dhënë më shumë kontribut për zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të komuniteteve. Ministrja Kushi, falenderoi Ambasadorin italian Fabrizio Bucci për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e arsimit.

Pro Rektorja e Universitetit të Barit dhe Z. Maurizio Raeli, CIHEAM Bari, në fjalët e tyre përshëndetëse, theksuan rëndësinë dhe kënaqësinë e bashkëpunimeve të tilla, përmes konkretizimit të nënshkrimit të një marrëveshje e cila me implementimin e saj do ta forcojë edhe më tej binjakëzimin mes universiteteve shqiptare me Universitetin Italian dhe në kuadër të ndërkombëtarizimit.