Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit pranë UV-së, ku morën pjesë staf akademik dhe administrativ nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë në BE dhe jo vetëm, pjesë e axhendës së miratuar ishte pjesëmarrja aktive dhe angazhimi i studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në të gjitha sesionet e eventit.
Studentët e programeve të ndryshme të studimit patën mundësinë të takonin dhe të bisedonin personalisht me përfaqësues të universiteteve pjesëmarrëse nga data 06-10 Qershor 2022, duke marrë informacione të detajuara mbi mundësitë e shkëmbimit studentor dhe bursa studimi në universitetet partnere.
Pjesë shumë e vlefshme e axhendës ishte dhe zhvillimi i disa orë leksionesh nga profesorët e universiteteve partnere, orë, të cilat, studentët e UV-së i ndoqën me interes të veçantë, duke u bërë dhe pjesë aktive përmes pyetjeve apo diskutimeve të tyre.
Ndarja e eksperiencave personale të studentëve të Erasmus +, ishte një tjetër moment shumë interesant i axhendës së miratuar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit pranë UV-së. Studentët rrëfyen konkretisht rrugëtimin e tyre që në nisje të aplikimit për t’u bërë pjesë e Erasmus + e deri tek kjo përvojë akademike e jetësore, të cilën, siç pohuan vet ata, për sa shumë përfituan, do ta kujtojnë si përvojën akademmike më të veçantë.
Merve Betul Capun, një studente e ardhshme Erasmus nga Universiteti Ataturk në Turqi, ndau me të pranishmit përvojën e saj Erasmus+ @ UV, duke e cilësuar këtë përvojë si më të vlefshmen, përmes së cilës ka përfituar shumë në drejtim të njohurive akademike por dhe të vendosjes së shumë kontakteve të reja me të cilët më pas ka nisur edhe të bashkëpunojë në të tjera projekte.
Gerald Dogani, studenti i UV-së, tregoi për të pranishmit eksperiencën e tij nga Erasmus+, duke u ndalur konkretisht tek sfidat dhe arritjet e tij akademike përmes kësaj përvoje, që e cilësoi si mjaft të vyer për çdo student të cilit i jepet mundësia të kalojë një eksperiencë të tillë.
Enid Muharremi, një tjetër student i UV-së, prezantoi trajnimin që ka përfituar në kuadër të projektit Knowhub.
Ndërtimi i partneriteteve ndërkombëtare, dhe zgjerimi i rrjetëzimit, do të vijojë të mbetet një prej prioriteve kryesore të universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes të tilla eventeve siç ishte Java Ndërkombëtare e Stafit pranë UV-së, dëshmi e bashkëpunimeve mjaft të suksesshme me universitetet më të mira në botë.