njoftime

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, i cili përmes stendave “Erasmus+” ishte pjesë e Panairit të EU-së

Pjesë e aktiviteteve të zhvilluara në qytetin e Vlorës, në kuadër të Javës Europiane, ishte dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, i cili përmes stendave “Erasmus+” të Panairit të EU-së të organizuar në Lungomare, prezantoi tek pjesëmarrësit projektet Erasmus+ në implementim nga UV si dhe promovoi tek studentët e pranishëm programin Erasmus+ KA1-“Mobiliteti i të nxënit” ku studentë të programeve të ndryshme pranë UV-së mund të jenë pjesë e mobiliteteve studimore në një nga vendet partnere të BE-së me të cilat UV ka marrëveshje ndër-institucionale.

Vizitorë të stendës “Erasmus+” ishin dhe i ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Z. Alexis Hupin, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Vlorë Z. Dritan Leli, të cilët morën informacion të detajuar mbi projektet në implementim nga UV, arritjet dhe impaktin e tyre në komunitetin e Vlorës si dhe mobilitet hyrëse dhe dalëse pranë UV-së. Z. Hupin përgëzoi punën e UV-së në menaxhimin e projekteve nga BE dhe mobiliteteve ICM si dhe prezantimin dinjitoz të tyre në këtë panair.

Axhenda në kuadër të Javës Europiane vijoi dhe pasdite përmes vizitës në zyrën e Rektorit, Prof. Dr. Roland Zisi, të përfaqësuesit të Delegacionit Europian, Alexis Hupin dhe Këshilltarit të Ambasadës Greke, Kostandinos Karamusalis.

Në bashkëbisedimin e zhvilluar në zyrën e Rektorit, u theksua rëndësia e vijimësisë së bashkëpunimeve të mëtejshme në nivel akademik mes institucioneve të arsimit të lartë të vendeve respektive.