Në kuadër të javës Europiane, në mjediset e sallës “Rilindja” të universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me moton  “Nën perëndimin e Vlorës shkrihet muzika greke dhe shqiptare” u zhvllua koncerti artistik

njoftime

Në kuadër të javës Europiane, në mjediset e sallës “Rilindja” të universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me moton  “Nën perëndimin e Vlorës shkrihet muzika greke dhe shqiptare” u zhvllua koncerti artistik me interpretimet e shkëlqyera të këngëtares Eliona Lici dhe këngëtarit lirik, Artur Vera, nën drejtimin artistik në piano dhe tastierë të Arjan Brahimi, në violinë Ergi Papadhimitri, në kitarë Arbër Çerri dhe në fizarmonikë Lorenc Treska.

Salla “Rilindja” e universitetit “Ismail Qemali” Vlorë përmes zërave dhe interpretimit të shkëlqyer të këtyre artistëve u kthye në një sallë të mirëfilltë artistike, ku spektatorët e shumtë mes të cilëve dhe përfaqësues të Ambasadës Greke, shijuan magjinë e shkrirjes së tingujve të muzikës së bukur greke dhe shqiptare.

Në përshëndetjen e tij Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi falenderoi artistët që zgjodhën mjediset e UV-së për organizimin e këtij eventi artistik, në kuadër të Javës Europiane, duke theksuar faktin se universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është institucioni që ka si objektiv bashkëpunimet dhe binjakëzimet në nivel akademik me shtetet europiane, e në veçanti me vendet fqinje, si Greqia.

Për më shumë se një orë të  pranishmit në sallë shijuan magjinë e zërave të shkëlqyer të këngëtarëve Eliona Lici dhe Artur Vera, të cilët interpretuan repertorin e përzgjedhur nga muzika greke dhe ajo shqiptare.