njoftime

Takim midis Prof. Dr. Roland Zisi, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Z. Zhou Ding, Ambasadori i Kinës në Shqipëri

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi priti në zyrën e tij Ambasadorin e Kinës në Shqipëri, Z. Zhou Ding, shoqëruar nga delegacioni kinez.

Vizita u organizua në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë midis Kinës e Shqipërisë.
Rektori Zisi duke falenderuar ambasadorin për vizitën dhe interesin që tregon për bashkëpunime të mëtëjshme me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, theksoi se miqësia tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë duhet të trashëgohet dhe kultivohet vazhdimisht. Universiteti i Vlorës ka krijuar marrëdhënie të shumta bashkëpunimi me Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit duke shprehur dëshirën dhe gadishmërinë për t’i thelluar bashkëpunimet dhe me më shumë universitete kineze në të ardhmen.
Rektori Zisi shtoi se Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me Universitetin e Pekinit dhe atë të Shangait, në veçanti me Departamentet e Gjuhësisë midis dy vendeve respektive duke organizuar më herët në universitetin e Vlorës një konferencë të përbashkët, konferencë për të cilën Rektori Zisi shprehu dëshirën që të organizohet edhe në Pekin, ndërsa theksoi faktin se ai personalisht dhe i gjithë stafi i UV-së janë të gatshëm të zhvillojnë bashkëpunime në fusha të ndryshme me qëllim thellimin e bashkëpunimit.
Rektori Zisi pohoi se Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë do të hapë dhe kurse të gjuhës kineze për studentët, një mundësi kjo për vijimësi të bashkëpunimeve mes Universitetit të Vlorës dhe universiteteve të Kinës.