Urim i Rektorit të UV Prof. Roland Zisi për ditën e Sulltan Novruzit.

njoftime

 

Në këtë ditë feste dhe optimizmi pranveror, që simbolizon përtëritjen e jetës, Ju uroj të gjithëve: Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit!

Shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja!

Festa e Sulltan Nevruzit është festë ku të gjitha qeniet e gjalla i falen Zotit dhe njerëzve iu shtohet dashuria për Zotin, për paqen dhe për mirësinë.

E cilësuar si dita e fisnikërisë bektashiane, kjo ditë simbolizon ringjalljen, si pishtar shprese, duke na bërë të reflektojmë për vlerat e jashtëzakonshme të harmonisë e bashkëjetesës së paqtë mes besimeve fetare në Shqipëri.

Dija, urtësia dhe drejtësia janë tipare të patjetërsueshme, të cilat kanë karakterizuar besimin bektashian ndër shekuj, ndërthurura me ndjenjën e palëkundur të atdhedashurisë.

Pikërisht ky besim dhe këto vlera të spikatura, përcjellja e tyre brez pas brezi mbeten jo vetëm një shembull i veçantë mbarë botëror por sidomos një garanci se ato do të vazhdojnë të trashëgohen edhe në të ardhmen në shërbim të shoqërisë.

Verat njerëzore, humanizmi dhe solidariteti, veçanërisht sot, në këtë ditë të shenjtë të bektashizmit, na orientojnë drejt shpresës, optimizmit, paqes e harmonisë.

Në të tilla ditë kuptojmë rëndësinë e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes besimeve fetare, mes etnive, mes kombeve dhe mes vendeve, për të ndërtuar së bashku një botë të paqtë dhe për të dhuruar më shumë dashuri mes njerëzve, më shumë mirëkuptim, harmoni shpirtërore dhe më shumë optimizëm.

Sot zemrat tona mbushen me ndjenja të ripërtëritura qetësie e gëzimi për të falur dashamirësi dhe bashkëpunim për të mirën tonë të përbashkët e për të ardhmen.

Besimi i palëkundur në Zot dhe në mësimet e shenjta, na bën mirë të gjithëve, veçanërisht në kushtet e një situate të pazakontë me të cilën po përballemi prej një viti, kushtëzuar nga pandemia botërore Covid-19, që ka ndryshuar ndjeshëm ritmin e jetesës për gjithsecilin prej nesh.

Festimet në këto momente të vështira, por në një ditë që përkon me lindjen e Imam Aliut , le të kthehen në lutje drejt Zotit për shëndetin e të gjithëve!

Së bashku, me harmoni mes njëri tjetrit dhe me besimin në Zot, ne do t’ia dalim!

Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit,

Pranverë në zemrën e të gjitha familjeve, të çdo shqiptari dhe besimtari bektashian!

REKTORI i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

Prof. Dr. Roland ZISI