[:sq]
NJOFTIM
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, bazuar në Urdhërin Nr. 39, datë 02.09.2020 të Rektorit, shpall njoftimin për konkurim të hapur, për vendet e lira të punës në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë:
2 (DY) PERSONEL AKADEMIK ME ANGAZHIM ME KOHË TË PLOTË, PËR VITIN AKADEMIK 2020-2021, PRANË QENDRËS KËRKIMORE-SHKENCORE TË SHËNDETIT PUBLIK TË FUSHËS SË MJEKËSISË (SPECIALIST OSE I PËRGJITHSHËM)
Përshkrimi i vendit të punës
- Pedagog me kohë të plotë
- Mësimdhënie në modulet: Kirurgji, Anatomi, Promocion shëndetësor në veprimtaritë akademike: leksione, seminare.
- Kërkim shkencor individual dhe në grup.
- Mbështetje për nevojat e Qendrës dhe Fakultetit.
Kritere të përgjithshme që duhet të plotësoj/në kandidati/ët
- Të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkuron;
- Të jetë i aftë të garantoj standartin e cilësisë dhe efikasitetin në mësimdhënie.
- Të ketë aftësinë e punës në grup dhe të komunikimit profesional me kolegët dhe studentët;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës për kryerjen e një vepre penale si dhe të mos jetë person nën hetim;
- Kandidati nuk duhet të ketë patur background negativ në eksperiencat e mëparshme në punë;
- Të mos jetë marrë ndaj tij masë disiplinore “largim nga puna” si dhe të mos jetë në proces gjyqësor me Universitetin “Isamil Qemali” Vlorë;
- Të mos ketë vepruar ose propaganduar në drejtim të prishjes së imazhit të universitetit dhe autoriteteve drejtuese të UV-së, në median vizive dhe/apo të shkruar, rrjetet sociale etj.
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë i aftë nga ana shëndetësore;
- Të ketë eksperiencë në punë.
Kriteret e seleksionimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve:
- Të kenë diplomë në Mjekësi të Përgjithshme. Diploma e Specializimit dhe Grada Shkencore jep prioritet.
- Nota mesatare minimale 8 (tetë).
- Të kenë njohje të nivelit B2-C1 në gjuhën angleze. Njohja e gjuhëve të tjera të BE jep përparësi.
- Të kenë njohuri/eksperiencë mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor (vlerësohet më së shumti kandidati me eksperiencë studimi dhe mësimdhënie në universitetet perëndimore).
Dokumentacioni i kërkuar
- Formulari i aplikimit i plotësuar nga aplikanti. Gjendet në adresën univlora.edu.al
- Jetëshkrim/ CV;
- Diploma/t universitare (kopje e noterizuar);
- Lista e notave e studimeve universitare (origjinale ose kopje e noterizuar);
- Tituj akademik ose grada shkencore (kopje e noterizuar);
- Dëshmi të kualifikimeve, trajnimeve, arsimim shtesë, apo të tjera të përmendura në jetëshkrim (kopje të noterizuara);
- Artikuj të botuar, projekte shkencore, etj;
- Dëshmi të pjesëmarrjes në konferenca, seminare, workshop-e, etj (kopje të noterizuara);
- Libreza e punës (origjinal ose kopje të noterizuar)
- Raport mjekësor për aftësinë në punë, lëshuar 3 muajt e fundit (origjinal);
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore (dokument origjinal i lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor);
- Fotokopje të kartës së identitetit ID;
Shënim:
Diplomat, çertifikatat, gradat dhe titujt e fituar në institucione të huaja arsimore, të shoqërohen me çertifikatën e njehsimit, bazuar në nenin 92 të Ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e Arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Mënyra e aplikimit
Dokumentat duhet të dorëzohen vetëm nëpërmjet shërbimit postar në adresën:
-Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë,
-Lagjja. “Pavarësia”, Rr. “Kosova” 9400 Vlorë, Shqipëri. -Drejtoria e Komunikimit dhe e Burimeve Njerëzore. -Personel akademik me kohë të plotë, për vitin akademik 2020-2021, Qendra Kërkimore Shkencore e Shendetit Publik ne Fakultetin e Shendetit |
Afati për aplikim
- Afati për të aplikuar është 2 dy (javë) kalendarike. Ky afat fillon nga data e nesërme e publikimit të njoftimit në web-site zyrtar të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë: univlora.edu.al. (njoftimi u publikua në datën 02.09.2020 dhe afati përfundon në datën 17.09.2020).
- Dokumentacioni i dorëzuar në shërbimin postar pas datës 17.09.2020, do t’i kthehet aplikantit pa veprime.
Procedura e punësimit të personelit akademik
- Punësimi i personelit akademik në UV bëhet me
- Konkurimi do të kryhet në dy faza: vlerësimi i dosjes dhe intervista e drejtëpërdrejtë e kandidatit.
- Dokumentacioni i dorëzuar nga aplikanti në kundërshtim me kërkesat e shpallura, nuk do të merret në konsideratë nga Komisioni ad hoc. Vlerësimi do të kryhet vetëm mbi bazën e dokumentacionit të konsideruar të vlefshëm.
- Komisioni ad hoc njofton kandidatët për rezultatet e vlerësimit të fazës së parë.
- Ankesat në lidhje me vlerësimin e kandidatëve dhe zbatimin e procedurave nga komisioni ad hoc, paraqiten te Rektori brenda 5 (pesë) ditëve.
- Kandidatit i lind e drejta e ankimit nga e nesërmja e njoftimit të vendimit për fazën e parë të vlerësimit të dokumentacionit të dorëzuar. Në këtë rast, Rektori urdhëron komisionin ad-hoc për pezullimin e procedurës së konkurimit deri në përfundimin e procedurës së shqyrtimit të ankimit. Kur vlerëson se ankimi është i pranueshëm, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të ankimit, Rektori vendos me një akt të ri anullimin, shfuqizimin ose ndryshimin e vendimit të komisionit ad-hoc. Vendimi i rektorit i njoftohet komisionit ad-hoc i cili në vijim cakton datën dhe njofton kandidatët fitues për zhvillimin e intervistës me gojë.
- Kandidati i cili kalon fazën e parë të kualifikimit të dosjes, por nuk paraqitet në fazën e dytë të intervistës me gojë, skualifikohet nga konkurimi.
- Komisioni ad hoc vlerëson dhe rendit kandidatët konkurues sipas pikëzimit të vendosur në rregulloren e UV-së dhe ia përcjell Rektorit i cili vendos në mënyrë përfundimtare mbi secilën kandidaturë.
- Kundër vendimit të fazës së dytë për vlerësimin e intervistës, kandidati ka të drejtën e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Në këtë rast, Rektori urdhëron shqyrtimin e ankimit. Kur vlerëson se ankimi është i pranueshëm, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të ankimit, rektori vendos me një akt të ri anullimin, shfuqizimin ose ndryshimin e vendimit të komisionit ad-hoc.
- Vendimi përfundimtar i Rektorit për miratimin e klasifikimit përfundimtar dhe shpalljen e fituesit, i njoftohet palëve të interesuara.
- Rektori emëron kandidatin fitues dhe nënshkruan kontratën e punës.
DREJTOR
ELOINA TOZAJ