njoftime

[:sq]Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Roland Zisi, vlerësohet me diplomën “LAUREA HONORIS CAUSA”[:]

[:sq]Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Roland Zisi, vlerësohet me diplomën “LAUREA HONORIS CAUSA”

Me Dekret Rektorial (Prot.RM/08b/2019) dhe propozim të Senatit Akademik të Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës, Duka i Madh dhe Princi i Urdhërit të Kalorësve të Maltës, njëherazi dhe Rektori i Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës, Prof. Alfred Josef Baldacchino, nderoi Rektorin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, me diplomën “LAUREA HONORIS CAUSA”.

Ceremonia e vlerësimit dhe e dorëzimit të diplomës “LAUREA HONORIS CAUSA”, u zhvillua ditën e premte, datë 26. 04. 2019, në orën 17. 00, në Tirana International Hotel, Conference Centre. Ky aktivitet u zhvillua në kuadrin e një vizite zyrtare që Z. Alfred Josef Baldacchino, ekspert i shquar i ekonomisë dhe i financave globale, realizoi në vendin tonë, gjatë së cilës pati takime dhe zhvilloi bisedime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar si dhe me autoritete të Konfindustrisë, Dhomës kombëtare të Tregëtisë, autoritete të jetës shkencore e akademike shqiptare.

Në këtë ceremoni, përveç Dukës së Madh dhe Princit të Urdhërit të Kalorësve të Maltës, Prof. Alfred Josef Baldacchino, ishin të pranishëm dhe delegatë përfaqësues të Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës, autoritete vendase, profesorë, studiues dhe miq.

Në fjalën e tij Rektori A. J. Baldacchino, vlerësoi propozimin e Senatit Akademik të Universitetit që drejton për nderimin e Rektorit të UV-së, Prof. Roland Zisi, evidentoi punën dhe qasjen e tij bashkëkohore në krijimin e marrëdhënieve ndërinstitucionaledhe më pas konfirmoi qëndrimin e tij për vijimin e bashkëpunimit dypalësh, mes dy universiteteve, në zhvillimin e konferencave të përbashkëta shkencore, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, kryerjen e kërkimeve shkencore dhe publikimeve të përbashkëta etj.

Në respekt të procedurës zyrtare dhe akademike të nderimit me diplomën  “LAUREA HONORIS CAUSA”, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, mbajti LECTIO MAGISTRALIS me titull: “25 vjet Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë: Arritje, realitete dhe skenarë zhvillimi”. Leksioni ishte fokusuar kryesisht në rekordet historike të UV-së që nga çelja, arritjet e tij institucionale e akademike ndër vite si dhe në sfidat bashkëkohore për përballimin me sukses të skenarëve të zhvillimit.

 

Pasi Prof. Roland Zisi veshi e Togën (Uniformën) e Nderit me siglën e Universitetit “Sancti Cyrili”, Z. A. J. Baldacchino bëri leximin e Pergamenës dhe i dorëzoi Rektorit të UV-së Prof. R. Zisi, diplomën “LAUREA HONORIS CAUSA” dhe Dekretin Rektorial (Prot.RM/08b/2019) që shoqëron Diplomën e Nderit.

Pas marrjes së Diplomës, Prof. Zisi mbajti një fjalë të shkurtër në të cilën falenderoi Rektorin e Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës dhe Senatin Akademik të tij, për vlerësimin dhe nderimin me titullin më të lartë akademik që i akorduan dhe në vijim theksoi se, vlerësimi fillimisht i takon Universitetit “Ismail Qemali”, kolegëve, studentëve dhe pastaj atij personalisht.

Ceremonia Zyrtare e Diplomimit, spikati për frymën e respektimit të detajeve protokollare, që zbatohen në rastet të tilla, kur Universitetit “Sancti Cyrili” nderon dhe  motivon personalitete dhe institucione që japin kontribute të larta në fushën akademike dhe shkencore, figura dhe institucione të shquara qendrore sociale, kulturore, ekonomike  dhe politike  që kontribuojnë në shkallë kombëtare dhe ndërkombetare, për vendosjen e urave të bashkepunimit global, me qëllim zhvillimin e vlerave humane dhe morale për njerëzimin.

Pas përfundimit të Ceremonisë Zyrtare të Diplomimit, të pranishmit morën pjesë në një kokteil i cili kaloi në një atmosferë të gëzueshme dhe miqësore.


[slide-anything id=’15005′]

 

Përshënetja e Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr Roland Zisi pas marrjes së titullit akademik Laurea Honoris Causa, nga Universiteti “Sancti Cyrili” i Maltës.

 

Të nderuar kolegë, profesorë dhe miq!

 

Lartësia Juaj, Duka i Madh dhe Princi i Urdhërit të Kalorësve të Maltës,

I nderuar Rektor i Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës, Prof. Alfred Josef Baldacchino!

 

Së pari, dëshiroj të shpreh respektin dhe konsideratën time më të lartë për të gjithë Ju, të konfirmoj faktin që ndihem shumë i lumtur dhe i nderuar nga organizimi i kësaj ceremonie si dhe të çmoj vlerësimin e veçantë akademik që më bëni, vlerësim që vjen nga Universiteti “Sancti Cyrili” i Maltës, një institucion arsimor prestigjioz, me mbi një shekull jetë akademike dhe afro katërqind vjet histori.

 

Në mënyrë të veçantë i jam mirënjohës dhe i shpreh falenderimet më të sinqerta, Dukës së Madh dhe Princit të Urdhërit të Kalorësve të Maltës, njëherazi dhe Rektorit të Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës, Prof. Alfred Josef Baldacchino, për vlerësimin e lartë që i bën punës, veprimtarisë dhe përpjekjeve të mia modeste, në funksion të ndërkombëtarizimit dhe krijimit të kontakteve e marrëdhënieve globale akademike të Universitetit që unë drejtoj.

 

Së dyti, me këtë rast më lejoni t’Ju përshëndes në emër të studentëve dhe të kolegëve të mi pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, i cili edhe pse është një Universitet relativisht të ri dhe në tetor 2019 mbush një çerek shekulli veprimtari, ai përfaqëson sot një institucion të rëndësishëm në lëmin e arsimit të lartë publik në Shqipëri. Jam shumë krenar për arritjet e tij në kaq pak kohë si dhe për bashkëpunimet e frytshme ndërkombëtare që ai ka realizuar ndër vite, mes të cilave spikat dukshëm bashkëpunimi cilësor dhe premtues me Universitetitin “Sancti Cyrili” të Maltës.

 

Për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë ky është vit jubilar; ai mbush 25 vjet veprimtari dhe histori. Në respekt të kësaj ngjarjeje të shënuar për UV-në, unë iu shmanga disi traditës universitare latine të Lectio Magistralis dhe nuk prezantova diçka nga punët e fushës sime të kërkimit shkencor që lidhet me studimin e teksteve letrare, sidomos të teksteve shqipe. Preferova që, në respekt të brezave të studentëve, pedagogëve dhe drejtuesve që kanë kontribuar  ndër vite, siç edhe e ndoqët, të zhvilloja leksionin me temë: “25 vjet Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë: Arritje, realitete dhe skenarë  zhvillimi”

 

Së treti, në këtë kontekst të nderuar miq, Diplomën e Nderit Laurea Honoris Causa, që, Princi dhe Rektori i Universitetit “Sancti Cyrili” të Maltës, miku i shquar i UV, Prof. Alfred Josef Baldacchino, më akordojë mua, unë ua dedikoj studentëve dhe pedagëgëve të UV-së. Këtë diplomim e konsideroj një akt nderimi për kolegët e mi, për vlerat, kontributet dhe arritjet e tyre ndër vite si dhe një gjest nderimi për Tempullin tonë të përbashkët që mban emrin e shquar: Ismail Qemali.

 

I nderuar Rektor Baldacchino!

 

Jam shumë krenar për faktin se Ju jeni mik i shqiptarëve dhe konkretisht edhe mik i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Gjithashtu jam shumë krenar për marrëdhëniet akademike që dy universitetet tona po zhvillojnë mes tyre. Qëllimi ynë i përbashkët është të shkëmbejmë eksperienca akademike, burime njerëzore dhe vlera morale në funksion të edukimit të brezave të rinj.

 

Jam shumë i inkurajuar të vlerësoj filozofinë Tuaj të bashkëpunimit akademik dhe njerëzor. Malta ashtu si Vlora jonë është një vend i rrethuar nga deti dhe unë këtë e kuptoj si një bekim nga Zoti dhe kjo gjë më sjell në mendje Leviatanin biblik, mitin e fuqisë detare, mitin e talasokracisë, pa të cilin kontinenti përtej Antlantikut ndoshta ende nuk do të ishte zbuluar.

 

Malta është një vend ku ndërthuren gjuhët e kulturat, kurse qytetërimi i vendit ështe gjithnjë i qëndrueshëm e në lulëzim. Bota e sotme pikërisht për këtë ka nevojë: jo për përplasje kulturash, gjuhësh e qyteterimesh, por për dialog dhe bashkëjetesë mes tyre.

 

Kjo që po them nuk është diçka teorike, që ka lidhje me prognozat dhe teoritë e Huntington-it apo të El Said-it. Jo, është fakt që në Mesdhe ka ishuj të ndarë me kufij për shkak të kthimit të gjuhës apo të besimit në kufi. Kurse Malta është një model.

 

Edhe Shqipëria dëshmon vazhdimisht se dëshiron të jetë një model i paqes së të ndryshmeve në unitet, pluribus in unum, shumë në një. Realiteti ynë religjioz e human e dëshmon më së miri këtë kulturë.

 

Në funksion të kësaj filozofie më duhet të konfirmoj edhe një herë vullnetin e UV-së që bashkepunimi ynë të eci i orientuar në këtë drejtim dhe me të gjitha format: me shkembim ekspertësh e ekspertizash, profesorësh e studentësh, programesh e disiplinash, botimesh e burimesh, sidomos sa i takon kulturës detare dhe gjithë specialiteteve që lidhen me të, që nga peshkimi e marina deri tek rregullimi ligjor i të drejtave në det e nën det, pa përjashtuar shkencat humane, që janë prioritet ynë; tregtinë, marrëdheniet ndërkombetare, sidomos të drejtës së identitetit, neutralitetit, brenda kuadrit të interdipendencës së botës së sotme dhe globalizmit kulturor e ekonomik.

 

Ju faleminderit Lartësi,

Ju faleminderit kolegë.

 

Prof. Dr ROLAND ZISI

Rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

 

Tiranë, 26. 04. 2019[:]