Mirësevini në Departamentin e Gjuhëve të Huaja!
Themeluar më 1995, Departamenti i Gjuhëve të Huaja është departamenti më i madh dhe më i vjetër në Fakultetin e Shkencave Humane. Filloi me një program studimi katërvjeçar me njëzet e një studentë, i cili përgatiste mësues dhe përkthyes të gjuhës angleze. Në 2002 departamenti ofroi një program të dytë studimi katërvjeçar në gjuhën dhe letërsinë italiane. Në 2007 departamenti u bë pjesë e Fakultetit të Edukimit, i cili në 2009 u riemërtua si Fakulteti i Shkencave Humane. Aktualisht Departamenti i Gjuhëve të Huaja ofron pesë programe studimi, dy të ciklit të parë dhe tre të ciklit të dytë:
- Bachelor në gjuhë angleze
- Bachelor në gjuhë italiane
- Master profesional në mësuesi për CLAB në gjuhë angleze
- Master profesional në mësuesi për CLAB në gjuhë italiane
- Master i shkencave në përkthim-interpretim
Departamenti ofron gjithashtu kurse gjuhe të niveleve të ndryshme dhe kurse gjuhe për qëllime të posaçme kryesisht në anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht në programet e studimit të ciklit të parë dhe të dytë.
Në këtë departament japin mësim 24 pedagogë me kohë të plotë (profesorë të asociuar, lektorë, asistent-lektorë). Përveç tyre, në këtë departament angazhohet dhe staf ndërkombëtar, kryesisht për gjuhën angleze dhe italiane. Stafi i këtij departamenti është një staf i përkushtuar dhe me përvojë, i gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të studentëve dhe ambicioz për t’u rritur profesionalisht.
Departamenti e ka orientuar veprimtarinë e tij drejt ndërkombëtarizmit, në themel të të cilit qëndron modernizimi dhe harmonizimi i kurrikulave dhe programeve të studimit me ato të departamenteve simotra në universitetet e huaja, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, bashkëpunimi në projekte kërkimore dhe zhvillimore ndërkombëtare, rritja e vizibilitetit të punës kërkimore-shkencore të këtij departamenti.
Në thelb të punës sonë është besimi se harmonizimi arsimor lehtëson komunikimin ndërkulturor dhe mundëson integrimin evropian.
Prof. Asoc. Kozeta HYSO