Aktivitete njoftime

Aktivitet promocional: “Infermierët janë zemra e kujdesit shëndetësor”.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierit, Departamenti i Infermierisë në bashkëpunim me Departamentin e Kujdesit të Shëndetit dhe me Qendrën Kërkimore Shkencore me koordinatore Msc.Neada Cakërri, Prof.Asoc Rezarta Lalo, Dr.Glodiana Sinani, organizuan aktivitetin promocional me temë: “Infermierët janë zemra e kujdesit shëndetësor”.
Dita Ndërkombëtare e Infermierëve festohet çdo vit më 12 maj, në nderim të lindjes së Florence Nightingale, themelueses së infermierisë moderne. Kjo ditë është një mundësi për të vlerësuar dhe nderuar punën e palodhur, përkushtimin dhe humanizmin që infermierët tregojnë çdo ditë në kujdesin ndaj pacientëve. Infermierët janë shtylla kryesore e sistemit shëndetësor. Ata janë pranë pacientëve në çdo moment të vështirë, që nga dhimbja dhe frika, deri te shpresa dhe shërimi. Kontributi i tyre nuk është vetëm profesional, por edhe emocional dhe etik. Misioni i kësaj dite është të vlerësojë rolin jetik që infermierët luajnë në sistemin shëndetësor, të ndërgjegjësojë opinionin publik për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm, dhe të promovojë përmirësimin e kushteve të punës për këtë profesion.
Me pjesëmarrjen e personelit akademik dhe të studentëve të programit Infermieri e Përgjithshme dhe Infermieri Mami të Fakultetit të Shëndetit, u ofruan matje falas të tensionit arterial, nivelit të glicemisë dhe konsultim shëndetësor për qytetarët e qytetit të Vlorës si dhe u realizua një marshim përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” me postera dhe punime nga studentët në duar si simbol i falenderimit ndaj punës së palodhur të infermierit, u realizuan dhe videomesazhe me personel infermieror në sherbime të ndryshme të Spitalit Rajonal Vlorë dhe Spitalit Rajonal Fier.