njoftime

Takim i Prof. Dr. Aurela Saliaj, Rektore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Sportit Universitar (FSHSU)

Në kuadër të takimeve me përfaqësuesit e institucioneve të Arsimit të lartë në Shqipëri, Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universitar (FSHSU), z. Besnik Veliu, u prit sot nga Prof. Dr. Aurela Saliaj, Rektore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

 Gjatë takimit u diskutuan mënyrat për të mbështetur dhe motivuar studentët, pasuruar përvojën e tyre universitare dhe forcuar bashkëpunimin midis Universitetit “Ismail Qemali” dhe FSHSU. Prof. Dr. Aurela Saliaj vlerësoi kontributin e z. Gjergji Iliadhi, President i Shoqatës Sportive Studentore të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Drejtues të FSHSU, për angazhimin e tij në zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe promovimin e një mjedisi të shëndetshëm universitar.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, Presidenti Veliu dorëzoi bazë materiale sportive për mbështetjen e Shoqatës Sportive Studentore të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të projekteve të reja dhe forcimit të aktiviteteve sportive universitare. Së bashku për të inkurajuar dhe mbështetur të rinjtë në rrugën e tyre drejt suksesit, qytetarisë dhe kulturës!