Departamenti i Matematikës në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë mirëpriti më 16-17 Maj 2024 një delegacion nga Instituti për Didaktikën e Matematikës në Universitetin e Bielefeldit në Gjermani, të përbërë nga Prof. Dr. Michael Kleine, z. David Weiß dhe z. Samuel Coronado Alvarez.
Takimi i mbajtur në 16 Maj 2024 në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, u hap me një përshëndetje të ngrohtë nga Dr. Orgeta Gjermëni dhe një prezantim të përgjithshëm në video rreth universitetit tonë. Në vijim, një fjalim mirëseardhjeje u mbajt nga Zëvendës Rektori, Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli, i cili theksoi angazhimin tonë ndaj progresit akademik dhe ndërkombëtarizimit.
Takimi përmbajti ligjërata nga Prof. Dr. Michael Kleine, “Enactive Approach to Teaching Mathematics” dhe nga z. David Weiß, “Learning Mathematics by Playing Escape Room”. Më pas, Dr. Gjermëni dhe Prof. Asoc. Rozana Liko u përqendruan në prezantimin e personelit akademik të departamentit në lidhje me kualifikimet, fushat e kërkimit shkencor, pjesmarrjet në programet e trajnimit të mesuesve dhe hapësira të mundshme për bashkëpunime dhe përforcim të marrëdhënieve. Diskutimet e përbashkëta identifikuan fusha kyçe për bashkëpunime të mëtejshme ndërmejt dy institucioneve.
Pjesëmarrës në takim ishin personeli akademik i Departamentit të Matematikës dhe studentët e programeve të matematikës dhe matematikë-fizikë. Në përfundim, të ftuarit zhvilluan një tur në universitet, duke përfshirë Zyrën e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, ku u theksuan lidhjet ndërkombëtare të institucionit tonë.