njoftime

Takim i Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” VlorëProf. Dr. Roland ZISI me Ambasadorin e Indisë në Shqipëri, H.E. Z. Rahul Shrivastava

Ditën e hënë, datë 27.03.2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, priti në zyrën e tij, Ambasadorin e Indisë në Shqipëri, H.E. Z. Rahul Shrivastava, i cili shoqërohej nga Z. Jagmohan Tiwari, Atashe i Ambasadorit të Indisë në Shqipëri dhe Z. Erind Bathorja, Konsulent i pavarur për çështje dypalëshe diplomatike për subjektet e huaja (grupet e interesit).
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte krijimi i urave të bashkëpunimit midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me universitetet më prestigjioze të Indisë, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të UV-së, proces ky mjaft i suksesshëm për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë. Tregues të këtij fakti janë shumë universitete të huaja të cilat po tregojnë interes për të zgjeruar bashkëpunimin akademik me UV-në.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, në fjalën e tij përshëndetëse, falenderoi Ambasadorin e Indisë në Shqipëri, H.E. Z. Rahul Shrivastava, për interesin e treguar për bashkëpunimin me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, duke theksuar se është kënaqësi bashkëpunimi me universitetet më prestigjioze të Indisë.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi pohoi se, bashkëpunimet për programet e përbashkëta të studimit, shkëmbimi i studentëve dhe pedagogëve sigurojnë zgjerimin e bashkëpunimeve mjaft cilësore që do të realizohen midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me universitetet e Indisë.

Kjo do të shërbejë dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, jo vetëm në kuadër të studimeve akademike por edhe në fusha të ndryshme të jetës.

Ambasadori i Indisë në Shqipëri, H.E. Z. Rahul Shrivastava, falenderoi Rektorin e UV-së për mirëpritjen duke theksuar se, për vendin që ai përfaqëson, është kënaqësi bashkëpunimi me një universitet dinjitoz siç është Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë.

Z. Rahul Shrivastava, theksoi se, bashkëpunimi do të realizohet me universitetet më cilësore të Indisë e do të shtrihet në shumë fusha bashkëpunimi, në kuadër të dëshirës së përbashkës për forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve respektive.

Kjo ishte vizita e parë e Ambasadorit të Indisë në Shqipëri, H.E. Z. Rahul Shrivastava, në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, ndërsa vizita tjetër do të jetë ajo e firmosjes së marrëveshjes konkrete të bashkëpunimit mes Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe universiteteve më prestigjioze të Indisë.