njoftime

Takim me kryesues të Fondacionit ALSAR

Në datën 13 maj në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë u zhvillua një takim me Prof. Dr. Aurela Saliaj Rektore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Z. Mehdi Gurra, Kryetarin e Fondacionit “Alternativa e së Ardhmes” të cilët nënshkruan një marrëveshje të përbashkët mirëkuptimi.
Fondacioni ALSAR është një organizatë jofitimprurëse e themeluar ne vitin 2006 që ushtron një aktivitet mirëbërës shoqëror me karakter arsimor, kulturor dhe humanitar. Në këto vite ka arritur të realizojë projekte të ndihmës humanitare, morale e materiale si dhe të ofrojë ndihmë komunitare për kategori të ndryshme të njerëzve në nevojë, përmes ndërhyrjeve të organizuara në bashkëpunim edhe me autoritetet lokale te rretheve të ndryshme të vendit.
Gjatë takimit Fondacioni ALSAR i kushtoi rëndësi të veçantë pasurimit të bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” me 125 libra të rinj si dhe dhënien e bursave të inkurajimit për studentët ekselentë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.
Gjithashtu u propozua zhvillimi i një simpoziumi të përbashkët mbi një personalitet shqiptar me origjinë nga Vlora: “Jeta dhe veprat e Gedik Ahmed Pashës”, i cili është një nga shtetarët më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane që jetoi në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ai shërbeu si guvernator i provincës Rum (eyalet), si dhe guvernator i Anadollit, Vezir dhe Grand Vezir gjatë mbretërimit të Mehmedit.