njoftime

Leksion i hapur në kuadër të 100-vjetorit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Në datën 13 Maj në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës u zhvillua një leksion i hapur në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit – një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar në mbrojtjen e financave publike dhe promovimin e qeverisjes së mirë.

Aktiviteti u përshëndet nga përfaqësues të KLSH, znj. Mariola Llanaj, Këshilltare e Kryetarit të KLSH-së, si dhe znj. Miranda Misini, Audituese e Lartë pranë KLSH e cila mbajti një prezantim të detajuar mbi rolin historik dhe aktual të institucionit në forcimin e shtetit ligjor dhe transparencës publike.

Në fjalën hyrëse, përfaqësues të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin që luajnë këto aktivitete në edukimin qytetar dhe profesional të brezit të ri.

Ky leksion i hapur u ndoq me interes të veçantë nga studentët dhe pedagogët e fakultetit, duke krijuar një atmosferë diskutimi dhe reflektimi mbi sfidat dhe perspektivat e institucioneve publike në shoqërinë shqiptare.